Një ndër komunat më të përmbytura nga uji dhe me rrezikshmërinë më të lartë nga vërshimet është Drenasi.
Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, komuna ku vendbanimet janë të koncentruara kryesisht në pjesën e rrafshët të reliefit, është vërshuar nga uji.
Shumë rrugë rurale janë bllokuar, e madje për disa orë edhe hyrja nga Prishtina.
Aktualisht janë të pakalueshme rrugët në tri drejtime, Drenas-Komoran, Drenas-Guri i Plakës dhe Drenas-Kroi i Mbretit.
Uji mori para vetes shumë shtëpi e toka bujqësore po ashtu.
Në orët e paradites është nevojitur ndërhyrja e ekipeve emergjente në familjet e rrezikuara.
“I lusim qytetarët se aty ku kemi thënë se nuk mund të kalohen, mos të vijnë me na pengu më shumë në qoftë se nuk munden me na ndihmu, mos të na pengojnë. Njësitet e zjarrfikësve i kanë largu mbi 20 familje të cilat janë rrezikuar nga uji”, ka thënë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Për shkak të depërtimit të ujit në nënstacionin e qytetit, deri në orët e pasditës ka qenë i ndërprerë furnizimi me rrymë për Drenasin. Në terren janë parë edhe zyrtar të nivelit qendror, si Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi.
“Kemi aktivizuar të gjitha mekanizmat shtetërorë institucionalë me të gjitha kapacitetet që kemi, në mënyrë që ta lehtësojmë sa më shumë këtë gjendje që është krijuar. Po bëjmë gjithçka që është e mundur në mënyrë që të mos ketë pasoja të mëdha nga këto vërshime që po ndodhin në disa komuna”, ka thwnw Durmishi
Gjendje e rënduar ka qenë edhe në Gjakovë, ku është formuar Shtabi Lokal për Menaxhimin e Krizave, dhe janë ndihmuar familjet e rrezikuara nga uji.
“…Në disa lagje, si Dardania, Brekoci dhe Fshati i Gjelbërt, janë kryer evakuime të familjeve të prekura. Për familjet që kanë nevojë për strehim, komuna po kujdeset duke i akomoduar përkohësisht në banesat sociale. Zjarrfikësit janë në terren gjatë gjithë kohës duke ndihmuar qytetarët, ndërsa kompania “Çabrati” po merret me pastrimin e urave dhe zonave më problematike”, ka thwnw kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron për vazhdim të reshjeve të shiut edhe gjatë ditëve në vijim.
Për shkak të turbullimit të ujit në rrjetin e ujësjellësit, në disa zona kompanitë rajonale të ujësjellësit kanë ndërprerë furnizimin, derisa po shpërndahet ujë i pijes përmes autobotëve.