Gjatë vitit 2025 në Kosovë janë regjistruar 18 vrasje të natyrave të ndryshme. Lidhur me këtë Avokati Skënder Musa vlerëson se vrasjet e ndodhura në pjesën e dytë të vitit kanë pasur motive më të rënda dhe rrethana të pazakonta krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa eksperti i sigurisë Drizan Shala thekson se institucionet duhet të analizojnë në mënyrë të thelluar shkaqet kriminologjike dhe përgjegjësinë sistemore për këto ngjarje.
Avokati Musa për Ekonomia Online tha se edhe çështja e rëndë socio-ekonomike e popullatës ka ndikuar deri në kryerjen e vrasjeve.
“Pjesa e parë e vitit nuk mund të them se ka pasur numër më të madh të vrasjeve krahasuar me vitet e tjera. Ndërkaq, pjesa e dytë, me vrasjet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur kohëve të fundit, mund të them se është rritur numri i vrasjeve, edhe pse nuk kam lexuar ndonjë statistikë nëse është rritur dhe për sa për qind. Mirëpo, të paktën kanë ndodhur vrasje që kanë shkelje më të rënda se vitet e kaluara dhe kanë ndodhur vrasje të njëpasnjëshme që vërtet e kanë tronditur opinionin, por edhe institucionet shtetërore dhe neve si avokatë, sepse kanë qenë raste të rënda, motive të ulëta dhe një lloj kanë qenë disa vrasje që nuk kanë ndodhur më herët në Kosovë. Ajo që më ka bërë përshtypje sivjet është se ka ndikuar edhe çështja e rëndë socio-ekonomike e popullatës, mirëpo ndryshimi i rrethanave të vrasjes ka ndodhur padyshim sivjet. Motivet janë të ndryshme, për shembull vrasja e fundit që ndodhi mes dhëndrit dhe miqve, motivi nuk po dihet mirë, mirëpo lidhet me probleme familjare. Ka probleme për shkak të fajdeve, që kanë ndodhur për shkak të borxheve dhe obligimeve të ndryshme. Sivjet kanë qenë më të theksuara vrasjet për motive pasurore, por edhe vrasjet për motive xhelozie, sesa vitet e kaluara”, tha ai.
Hetimet dhe zbulimi i vrasjeve, sipas Musës, janë bërë në nivel të duhur nga policia dhe prokuroria.
“Këtë vit kemi pasur vrasje ku të akuzuarit nuk janë dorëzuar si zakonisht, por janë arratisur. Institucionet mund të them që kanë qenë aktive, për shkak se dy vrasje, për të cilat personat kanë qenë në arrati, janë arrestuar, madje edhe një vrasje, në bashkëpunim me ndërkombëtarët, i dyshuari është arrestuar. Kështu, nuk mund të them që nuk kanë qenë të angazhuara policia dhe prokuroria sa i përket zbulimit të vrasjeve dhe kapjes së kryerësve. Mirëpo, nuk duhet harruar që ka pasur edhe vrasje nga anëtarët e familjes, mes kushërinjve, siç është rasti i vrasjeve në Dumnicë të Podujevës, ku kryerësi i veprës penale ka bërë përpjekje t’i zhdukë të gjitha gjurmët, ta largojë armën dhe t’i fshehë provat. Mirëpo, prapë se prapë Policia e Kosovës e ka zbuluar rastin, edhe pse dihet se kryerësi ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i zhdukur provat”, theksoi avokati.
Sa i përket zërave se vrasjet po vijnë si pasojë e dënimeve të buta që po shqiptohen nga sistemi i drejtësisë, Musa thotë se Kosova dallohet nga vendet e Bashkimit Evropian për nga dënimet e larta që shqiptohen.
“Kosova shqipton dënime më të larta se vendet e Bashkimit Evropian. Mund të them se edhe në rajon dënimet mesatare për vrasje të kryera me dashje sillen prej 15 deri në 25 vjet, mirëpo ka edhe shumë dënime të shqiptuara me burgim të përjetshëm, me 25 vjet e më shumë. Ndërkaq, për rastet kur mungon dashja ose ekziston ndonjë rrethanë që e përjashton përgjegjësinë penale, dënimet zakonisht shkojnë nën 15 vjet, ndërsa minimumi është pesë vjet. Mund të them që dënimet nuk janë të buta, por çështjet penale nuk munden ta ndalin kriminalitetin. Shoqëria kosovare duhet të gjejë forma të tjera alternative për t’ua bërë me dije qytetarëve se vrasja është vepra më e rëndë penale dhe se me vrasje nuk zgjidhen problemet, por vetëm shkaktohen probleme edhe më të mëdha, si për kryerësin, ashtu edhe për familjen e viktimës. Kjo duhet të bëhet nga Ministria e Arsimit dhe ministritë tjera përkatëse, duke ndërmarrë aksione, platforma ose plane për vetëdijesimin e qytetarëve që të mos kryejnë vepra penale kundër jetës së njeriut, sepse sanksioni penal nuk ka treguar se ka dhënë rezultate në edukimin e masës qytetare”, nënvizoi Musa.
Avokati Musa përmendi edhe aspektin juridik të dënimeve, varësisht nga veprat që kryhen.
“Gjyqtari, prokurori dhe avokati nuk munden me ditë nëse një kryerës i një vepre të lehtë penale, për të cilën parashihet dënimi prej gjashtë muajsh, një viti ose tri vitesh, mund të bëhet vrasës në të ardhmen. Ka raste me lëndime të lehta trupore apo vjedhje të rëndomta, ku një person i ka 20 vepra në procedurë dhe mbrohet në liri, mund të bëjë marrëveshje ose ndërmjetësim. Ndërsa më pas ndodh vrasje, e cila nuk ka ndonjë lidhshmëri me veprat e mëparshme. Megjithatë, ka raste edhe kur vepra të rënda nuk janë ndëshkuar dhe kryerësi, duke menduar se është i paprekshëm, kryen edhe vepra më të rënda si vrasje apo grabitje. Në këto pika nuk ka pasur shumë raste kur një person i mbrojtur në liri për një vepër të rëndë ka kryer vrasje. Më tepër ka pasur persona me shumë vepra, por të natyrës më të lehtë”, tha ai.
Ndërsa eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për Ekonomia Online tha se duhet të bëhet një analizë e detajuar për rrethanat e vrasjeve gjatë vitit 2025.
“Sa i përket aktivitetit të vrasjeve dhe cenimit të sigurisë, padyshim që çdo vrasje e cenon sigurinë dhe krijon pasiguri te qytetarët e Kosovës. Duhet të kemi një shikim strategjik sa i përket veprimeve konkrete të institucioneve, sepse duhet të analizohet shkaku i vrasjeve: a ka qenë neglizhencë e institucioneve të Republikës së Kosovës apo e sistemeve tjera përcjellëse të sigurisë. Nëse janë veprime që kanë ndodhur në procese ad-hoc të konfrontimeve, pa motive të mëparshme, patjetër që duhet të ketë analizë nga aspekti kriminologjik dhe kriminalistik”, tha Shala.
Policia e Kosovës për Ekonomia Online në një përgjigje me shkrim tha se 18 vrasje janë kryer prej 1 janar 2025 deri më 30 nëntor.
Ndërkaq për vitin 2024 janë shënuar 17 vrasje, numër në ulje krahasuar me vitin 2023 që ishin kryer 29 vrasje.