Viti i krizës dhe kutive të votimit

Plot katër procese zgjedhore janë mbajtur në Kosovë gjatë vitit 2025. Pos zgjedhjeve të rregullta parlamentare në shkurt, dhe zgjedhjeve lokale në tetor e nëntor, kosovarët përjetuan edhe zgjedhjet e parakohshme paralamentare në dhjetor. Këtyre të fundit iu paraprinë një sërë zhvillimesh të papara në skenën politike, mes krizës së pafundme.

Nga kutitë e votimit në fillim të vitit, te kutitë e votimit në fund të tij. Kështu u karakterizua 2025-ta.

Ndërmjet këtyre dy palë zgjedhjeve të përgjithshme, të parat të rregullta dhe të dytat të parakohshme, skena politike kosovare përjetoi gjithçka.

Prej zvarritjeve të zakonshme, akuzave dhe kundër akuzave, e deri te situata të paprecedenta paqartësie institucionale.

Zgjedhjet që kosovarët bënë me 9 shkurt nuk prodhuan një fitues absolut. Ata nuk i dhanë kësaj radhe Lëvizjes Vetëvendosje shumicë parlamentare, pavarësisht se ajo fitoi më së shumti vota, gjithsej 42,30 për qind.

E dyta u rendit PDK-ja me 20,95 për qind të votave, kurse pas saj LDK-ja me 18.27 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma dhe të tjerët me 7,06 për qind.

Kjo shpërndarje e votës e la partinë e Albin Kurtit me 48 deputetë, 13 më pak sesa nevojiteshin LVV-së për të krijuar shumicën.

Përveç bashkëpunimit me një pjesë të deputetëve nga komunitetet pakicë joserbe, Kurtit i nevojiteshin partnerë shtesë për të formuar institucionet e reja.

Fatmir Limaj që udhëheq Nismën Socialdemokrate ishte i pari që i ofroi Kurtit bashkëpunim, duke braktisur në këtë mënyrë partnerin e koalicionit, Ramush Haradinaj, i cili i ndihmoi të kthehej në Parlament.

Sidoqoftë, negociatat mes Kurtit dhe Limajt nuk shkuan mirë, dhe kushtet që vendosën palët për njëra-tjetrën ndikuan që mos të arrihet marrëveshje për bashkëpunim.

Partitë tjera ishin deklaruar kundër bashkëpunimit të mundshëm me LVV-në.

I gjendur në këtë situatë, Kurti iu drejtua LDK-së duke e cilësuar si mundësinë e vetme të tij për koalicion.

Letrën me kërkesën për t’u takuar, Kurti ia nisi kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku para nisjes së procedurës për konstituimin e Kuvendit.

Por ajo u refuzua.

“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”, kishte thënë Abdixhiku.

E, Kurti u hyri procedurave për formimin e institucioneve pa një shumicë të siguruar.

Kur u përball me dështimet e para për zgjedhjen e kryeparlamentarit, Kurti iu kthye sërish letrave drejtuar LDK-së, por këtë herë me kërkesa më të qarta për të tejkaluar dallimet.

“Jam i bindu që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë”, kishte thënë Kurti.

Por, edhe gjuha e përdorur nga Kurti në letrat drejtuar LDK-së u vlerësua si e papranueshme nga zyrtarë të kësaj partie.

“Sjellja që e ka bërë Z. Kurti në 5 vitet e fundit është problematike, sidomos në raport me LDK-në, edhe gjuha që e ka përdorur në letrën që e kish dërguar është e papranueshme”., ka thënë anëtari kryesissë së LDK-së, Arben Gashi.

Por në bindjen e Kurtit, arsye për refuzim të bashkëpunimit nuk ishte gjuha.

“Problemi i mospajtimeve nuk ka të bëjë me gjuhën që përdoret sepse çka i kanë thënë këta njëri-tjetrit e janë bërë bashkë do të ishte e pashpjegueshme. Janë në pyetje interesat. Lëvizja Vetëvendosje në qeverisje, unë si kryeministër i Republikës duket që duke bërë gjëra të mira për Kosovën kam prishur disa pazare e kumari”, ka thënë Kurti.

Në këtë situatë, Kurti vazhdoi tentimet që pa marrëveshje të formonte institucionet, mes akuzave dhe sfidimit në Gjykatën Kushtetuese të veprimeve të partisë së tij.

Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit kur u ndërrua kandidati pas dhjetëra tentimesh të dështuara, radha i erdhi formimit të qeverisë.

Por, edhe partitë tjera si PDK dhe e AAK ishin kundër bashkëpunimit me Kurtin, me arsyetimin se Kurti po e bllokonte qëllimisht vendin dhe se nuk ishte i interesuar për zgjidhje.

Rrjedhimisht, Kurti u bë mandatari i parë në historinë e Kosovës që dështoi të formojë Qeverinë.

Mirëpo, PDK, LDK dhe AAK nuk ishin dakord që as së bashku të provonin të formonin qeverinë pas dështimit të Vetëvendosjes.

Ndërkohë bllokada po thellohej muaj pas muaji, dhe qindra miliona euro rrezikohej të humbnin si pasojë e mos miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kosova po shkonte drejt fundit të vitit edhe pa buxhet të miratuar për vitin 2026, por edhe drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Në këtë fazë të krizës politike, në fund të tetorit ndërhyri sërish Presidentja Vjosa Osmani, pas konsultimeve që kishe mbajtur në pranverë me partitë lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Por, ajo nuk kishte arritur t’i bindte partitë të pajtoheshin për miratimin e projektligjeve të rëndësishme, para se të caktoheshin zgjedhjet.

Për pasojë, presidentja shpërndau Kuvendin dhe caktoi zgjedhjet për 28 dhjetor.

“Ne kemi pasë një shtyrje të vazhdueshme dhe bllokadë në krijimin e institucioneve që bie barrë e partisë që ka fituar numrin më të madh të votave, dhe vendi ka nevojë sa më shpejtë të ketë institucione”, ka thënë kreu i PDK-së, Bedri Hamza.

“I paralajmëroj të gjithë. Pas këtyre zgjedhjeve nuk do të kem tolerancë për askënd që bëhet pengesë me ecë përpara në krijimin e institucioneve”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, dy rundeve të zgjedhjeve lokale në vjeshtë, zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit ishin hera e katërt që kosovarët votuan brenda vitit 2025.

Shija e redaktorit

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Presidentja Osmani uron qytetarët për Vitin e Ri 2026: Kosova...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimin e saj për Vitin e Ri 2026, duke theksuar rëndësinë e reflektimit për vitin...

Të fundit nga rubrika