Vizita në Londër, Kurti diskuton për mbrojtjen, ekonominë dhe rrugën e Kosovës drejt BE-së

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Londër me një sërë takimesh me përfaqësues të lartë politikë, financiarë dhe të sigurisë së Mbretëria e Bashkuar.

Kurti bën të ditur se vizita nisi me një takim me Sekretaren për Punë të Jashtme të Britanisë, Yvette Cooper, për të cilën bëri të ditur se e takon për herë të dytë brenda gjashtë muajve.

Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një partner kyç strategjik dhe duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh të bazuar në vlera të përbashkëta demokratike dhe siguri, njofton Dukagjini.

Në vijim, Kurti u takua me presidenten e Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, ku u diskutua për mbështetjen financiare për zhvillimin e Kosovës, si dhe për vazhdimin e investimeve në sektorin privat dhe projekte infrastrukturore si energjia, uji dhe transporti publik.

“Vizitën zyrtare në Londër e fillova me një takim me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, vizita e dytë në gjashtë muajt e fundit. Në këtë takim, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e shumanshme dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe përkushtim për sigurinë dhe prosperitetin. E cilësova Mbretërinë e Bashkuar si partner kyç strategjik dhe ritheksova angazhimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh. U takova gjithashtu me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, të cilën e falënderova për mbështetjen e konsiderueshme financiare për zhvillimin e Kosovës. Diskutuam vazhdimin e mbështetjes për sektorin privat në rritje dhe për projektet e infrastrukturës publike, si energjia, uji dhe transporti publik”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Gjatë vizitës, Kurti mori pjesë edhe në një panel të organizuar nga ODI Global, ku së bashku me drejtoreshën ekzekutive Sara Pantuliano, Dora Meredith dhe analistin ekonomik të Financial Times Martin Wolf, ku diskutuan mbi shtetndërtimin ekonomik dhe stabilitetin global.

Siç bën të ditur Kurti, në mbrëmje mori pjesë në një darkë të organizuar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje i Britanisë, Lord Coaker, në Naval and Military Club, ku u diskutua bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare.

“Vizita vijoi me pjesëmarrjen në një panel të organizuar nga think tank-u ODI Global, ku, së bashku me drejtoreshën ekzekutive Sara Pantuliano dhe Dora Meredith, si dhe me analistin e mirënjohur ekonomik Martin Wolf nga Financial Times, diskutuam mbi shtetndërtimin ekonomik dhe stabilitetin global. Në mbrëmje, mora pjesë në një darkë të shtruar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Coaker, në Naval and Military Club, ku diskutuam bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe çështje më të gjera të sigurisë”.

Gjatë ditës së dytë, Kurti ishte pjesë e panelit hapës në London Defence Conference, ku theksoi rëndësinë e gatishmërisë në kohë krizash globale. Në këtë panel morën pjesë edhe Karen Pierce, Pat Harrigan, Onno Eichelsheim dhe Julian Lindley-French.

Pas panelit, Kryeministri zhvilloi një intervistë me Iain Martin, ku foli për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat e sigurisë.

“Biseda u përqendrua për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia dhe Rusia,” thuhet në deklaratë.

Vizita u përmbyll me një darkë me historianin e njohur Noel Malcolm nga Universiteti i Oksfordit, i cilësuar si një nga zërat më të rëndësishëm ndërkombëtarë për historinë e Kosovës.

Të fundit nga rubrika