Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka mbërritur të shtunën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për një vizitë zyrtare historike, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Damaskut. Vizita vjen vetëm një ditë pasi Uashingtoni e hoqi Sharaa-n nga lista e zezë e terrorizmit.
Udhëheqësi sirian, forcat rebele të të cilit rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad në fund të vitit të kaluar, pritet të takohet të hënën me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas analistëve ndërkombëtarë, kjo shënon vizitën e parë të një presidenti sirian në SHBA që nga shpallja e pavarësisë së Sirisë në vitin 1946. Më herët, Sharaa ishte takuar me Trumpin në Riad, gjatë turneut rajonal të presidentit amerikan në muajin maj.
I dërguari i SHBA-së në Siri, Tom Barrack, ka deklaruar më parë se Sharaa “shpresohet të nënshkruajë një marrëveshje për t’u bashkuar me aleancën ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA kundër grupit terrorist Shteti Islamik (IS)”.
Një burim diplomatik në Damask i ka thënë AFP-së se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të krijojnë një bazë ushtarake pranë kryeqytetit sirian, me qëllim koordinimin e ndihmës humanitare dhe vëzhgimin e zhvillimeve midis Sirisë dhe Izraelit.
Vendimi i Departamentit të Shtetit për ta hequr Sharaa-n nga lista e zezë e terrorizmit të premten është pritur me interes dhe vlerësuar gjerësisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë.