Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar kryetarin e ri të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, në ditën e tij të parë të marrjes së detyrës.
Vizita u shoqërua me deklarata optimiste nga ana e presidentes, por edhe me një sërë lavdatash nga kryetari i komunës, të cilat dominuan diskursin e konferencës pas takimit.
Osmani theksoi lidhjen personale me qytetin, duke kujtuar se të dy janë rritur në Mitrovicë dhe se i njohin nga afër problemet me të cilat përballen banorët.
“Urime për marrjen e kësaj detyre e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme, por njëkohësisht edhe sfiduese, por jam e besimplotë që do t’ia dilni ju dhe ekipi i jashtëzakonshëm në mënyrë që për të gjithë qytetarët të sillni më shumë perspektivë, projekte, më shumë zhvillim dhe më shumë shpresë.
Ne me Fatonin njihemi që një kohë të gjatë, kemi shkuar në shkollë bashkë, jemi rritur në Mitrovicë, i njohim për së afërmi problemet me të cilat ballafaqohet ky qytet dhe nga njëra anë jam besimit që do të rregullohen edhe me angazhimin e kryetarit dhe ekipës së tij, por edhe me mbështetjen tonë nga niveli qendror, sepse qytetarët e Mitrovicës meritojnë çdo të mirë dhe meritojnë që, përkundër sfidave me të cilat janë ballafaquar jo vetëm viteve të 90-ta, por fatkeqësisht edhe pas luftës, që tanimë t’iu hapet rruga e perspektivës. Ky qytet ku jemi rritur ka potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm për shkak të bukurive natyrore që ia ka falur Zoti, por edhe për shkak të traditës që ka, potencialit që kanë njerëzit e Mitrovicës dhe historisë. Tani sidomos gjeneratat e reja presin që të ecim përpara”, ka thënë Osmani.
Në aspektin politik, Osmani nënvizoi rëndësinë e Mitrovicës për shtetin e Kosovës dhe foli për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, duke deklaruar se tokat e Mitrovicës “kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve”.
“Jam e bindur që edhe nga aspekti politik, duke ditur edhe rëndësinë e Mitrovicës dhe krejt kësaj pjese për shtetin tonë, do të bashkëpunojmë sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë që të vazhdojmë ta ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës, integritetin territorial. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve dhe vet trashëgimia kulturore, ku shihet kudo në pjesët veriore, është dëshmia më e madhe e kësaj”, ka shtuar Osmani.
Ajo mohoi pretendimet se nuk kishte vizituar më herët ish-kryetarin Bedri Hamza, duke i cilësuar ato si propagandë dhe gënjeshtra.
“Kam mendim dhe mendimi i parë është që ajo sapo e the është fake neës, është propagandë, është gënjeshtër. Sepse jo njëherë, por disa herë e kam vizituar Bedri Hamzën në këtë zyrë sa ka qenë kryetar. Jo vetëm në këtë zyrë, por kemi qenë nëpër projekte të ndryshme, shkolla e biznese. Edhe kryetari paraprak e ka pasur përkrahjen time të plotë për aq sa është në kompetenca tona”, ka shtuar Osmani.
Ndërkohë, kryetari i ri Faton Peci, në vend të një qasjeje më të përmbajtur, e shfrytëzoi vizitën për ta vërshuar presidenten me superlativa.
Ai e cilësoi Vjosa Osmanin si presidenten më të mirë që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës, duke e paraqitur vizitën e saj si një fat të veçantë për Mitrovicën.
“Në ditën e parë të fillimit të punës, prej mëngjesi ta kem mysafire presidenten Vjosa Osmani, të cilën e uruam mirëseardhje në shtëpinë e saj. Diskutuam për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës, por edhe të nevojës më të madhe të mbështetjes institucionale që i duhet Mitrovicës, duke filluar nga Zyra e Presidentes dhe Qeverisë, për të cilat kohët e fundit ka pasur përmirësim të dukshëm, por nga ana komunale kemi ambicie më të madhe për t’i adresuar këto. Mitrovica pas luftës, sikurse në fazën fillestare, është trajtuar vetëm si problem i mitrovicasve; tash është mirë që ka vëmendjen dhe mbështetjen e të parës së vendit, por edhe të Qeverisë dhe kryeministrit në detyrë, zoti Albin Kurti.
Ne kemi më fat si Mitrovicë që gjatë këtij mandati nga Mitrovica e kemi pasur një përfaqësim shumë dinjitoz në politikën e jashtme, duke filluar nga bashkëvendësja jonë që prej se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka pasur fatin ta ketë presidentin ose presidenten më të mirë që ka pasur Republika e Kosovës dhe ne sot e patëm këtë fat ta kemi në zyrën e të parit të Komunës së Mitrovicës”, ka thënë Peci.
Peci deklaroi se Mitrovica më në fund po trajtohet si çështje me rëndësi shtetërore dhe jo vetëm si problem lokal.