Vonesat e rinumërimit, rrezik për zgjedhjen e Presidentit dhe konstituimin e Kuvendit

Rinumërimi i votave nga zgjedhjet e fundit në Kosovë po zgjatet më shumë se sa ishte paraparë, duke vonuar certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve. Sipas KQZ-së, procesi mund të zgjasë deri në dy javë, ndërsa njohësit e çështjeve kushtetuese paralajmërojnë rrezik për shkelje të afateve ligjore duke përfshirë këtu, edhe zgjedhjen e presidentit.

19 janari ishte data e planifikuar nga KQZ-ja për shpallje të rezultateve përfundimtare por procesi i rinumërimit të votave e ka shtyrë dukshëm këtë afat.

Si rrjedhojë pritet që të vonohet edhe certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, si hap kryesor për nisjen e konstituimit të Kuvendit e formimit të Qeverisë së re.

Për të përshpejtuar këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur numrin e komisionerëve në Qendrën e Numërimit të votave.

“Nga 10 tavolina numërimi janë shtuar edhe 10 të tjera”, ka deklaruar për Dukagjinin zëdhënësi, Valmir Elezi duke theksuar se procesi pritet të zgjasë përafërsisht 12- 14 ditë.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, në këtë ritëm, gjasat janë që të shkelet edhe afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të vendit.

“Gjasat janë që si pasojë e këtij rinumërimi të shkojmë deri ka data 10-15 shkurt kur rezultatet priten të certifikohen. Në rastin më të keq, mundet edhe më shumë sepse nëse konsiderohet se ka mospërputhje nga rezultatet paraprake, KQZ me gjasë do shkojë në rinumërim të plotë e që do ndikojë në afatet kushtetuese veçanërisht për zgjedhën e presidentes ku zgjedhja do duhej bërë jo më larg se 5 mars dhe këtu do hyjmë në një cikël që nuk mund të bëhet zgjidhje. Ç’ka ndodhë nëse Kuvendi s’arrin të konstituohet dhe qeveria s’arrin të formohet sepse afati është 5 mars”, u shpreh Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Problematikë në vete sipas Jakajt, mbetet moskonstituimi i Kuvendit që do të lë peng procese që varen nga votimet e deputetëve.

“Dy muajt e parë të këtij viti do shkojnë pa miratim të buxhetit për vitin 2026 ku dhjetëra projekte infrastrukturore do mbesin pa realizuar. Është edhe premtimi elektoral për pagën e 13 ku 94 mijë zyrtarë publik nuk iu është transferu aktualisht dhe në ndërkohë, dy marrëveshjet që vijnë nga plani i rritjes së BE-së, marrëveshja me Bankën Botërore, financimi i qëndrueshëm për RTK-në dhe katër buxhetet për komunat në veri të vendit. Janë çështje për të cilat kuvendi do duhej konstituar dhe pasojat do jenë të menjëhershme” u shpreh ai.

Por, sipas Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, shkuarja në rinumërim të plotë mbetet e pashmangshme e telashe, konsiderohet të sjellë zgjedhja e presidentit.

“Këtu besoj që mund të ketë probleme serioze për të siguruar votat, por që në anën tjetër kjo do të tentohet që të ndahet si përgjegjësi në mes të të gjitha partive, sepse normalisht për partinë fituese të zgjedhjeve, ndonëse në parim për askënd nuk janë zgjedhjet të konvenueshme, por për partinë në pushtet e cila do ta kishte, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, dhe u.d. të presidentit mund të jetë në një pozicion pakëz më të favorshëm sesa të tjerat”, u shpreh Cakolli.

Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika