Vrasje me armë në burgun e sigurisë së lartë në Shqipëri

Një i burgosur, që po vuante dënim të përjetshëm, e ka vrarë me armë zjarri një të burgosur dhe e ka plagosur një tjetër në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, në qarkun e Elbasanit në Shqipërinë qendrore

Ilustrim

Një i burgosur, që po vuante dënim të përjetshëm, e ka vrarë me armë zjarri një të burgosur dhe e ka plagosur një tjetër në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, në qarkun e Elbasanit në Shqipërinë qendrore, të premten, njoftuan autoritetet shqiptare.

Sulmin e kreu Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në zonën e Thethit tetë vjet më parë, konfirmoi Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.

I burgosuri i vrarë është Arben Lleshi, gjithashtu i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në Britaninë e Madhe.

Në një njoftim të shkurtër për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha se ngjarja ndodhi pas një konflikti mes tre të dënuarve dhe se dy prej tyre kishin mbetur të plagosur, por më pas Arben Lleshi humbi jetën në spital si pasojë e plagëve.

Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, tha për mediat se tashmë situata e rendit në këtë burg ishte vendosur nën kontroll, duke mos dhënë hollësi të tjera rreth ngjarjes.

“Ngjarja është e rëndë, por nuk ka pasur cenim të jetës së personelit dhe stafeve civile. Si ka ndodhur ngjarja dhe detaje të tjera i përkasin hetimit. Unë nuk dua të cenoj asnjë element të hetimit”, tha Manja.

Ai bëri të ditur se ka urdhëruar rritjen e nivelit të gatishmërisë në të gjithë sistemin e burgjeve.

Manja, po ashtu, njoftoi se të tjerë të dënuar do të kalojnë në regjim të posaçëm, ku kufizohen takimet me familjarë dhe orët e daljes në ajrim.

Ministri i Drejtësisë tha se “shumë shpejt do të ketë masa për përgjegjësit ligjorë dhe administrativë të administratës së burgut ku ndodhi ngjarja”.

Më herët, Ministria e Drejtësisë njoftoi se Manja kishte firmosur urdhrin që i dënuari Sokol Mjacaj të vendosej në regjim të posaçëm.

“Të dënuarit që cenojnë sigurinë e institucionit, apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal, do të përballen me pasojat dhe do të vendosen në regjimin e posaçëm”, thuhej në vendim./REL

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika