Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se Tirana, Prishtina dhe Zagrebi kanë themeluar “aleancë ushtarake, sulmuese”.
“Kjo është një aleancë sulmuese. Ka njerëz që ëndërrojnë se kur ka konflikt midis pjesëve të Perëndimit dhe Rusisë, kjo është një mundësi për ish-aleatët rusë, si ne, që të shkatërrohen plotësisht”, tha Vuçiq për TV Informer të mërkurën.
Lideri serb i ka akuzuar vazhdimisht Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën për themelimin e një aleance ushtarake kundër Serbisë dhe popullit serb në muajt e fundit.
Ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje në mars të vitit 2025.
Qeveria kroate i tha më parë Radios Evropa e Lirë se Deklarata nuk synon të krijojë ndonjë aleancë ushtarake, dhe as nuk nevojitet një aleancë e tillë përkrah NATO-s.
Duke iu përgjigjur akuzave të mëparshme të Vuçiqit, ministei i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në rajon.
“Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe çdo gjë që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare bëhet në mënyrë transparente”, tha Bozhiniviq më 6 janar.
Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh, nuk është anëtare e aleancës./RadioEvropaeLirë