William Walker, dëshmitari i parë ndërkombëtar që i dërgoi një mesazh botës për krimet serbe në Kosovë

Në mëngjesin e 15 janarit 1999, forcat serbe hynë në fshatin Reçak dhe bastisën shtëpitë, duke vrarë 45 civilë shqiptarë. Diplomati amerikan, William Walker, i cili në atë kohë ishte shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, pas një dite të masakrës, kishte vizituar atë zonë dhe u bë dëshmitari i parë ndërkombëtar që raportoi për krimin serb në Kosovë

William Walker, ish-kreu i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, vëzhgon pozicionet ushtarake serbe pranë Podujevës, 30 km në veri të Prishtinës pas përshkallëzimit të shkurtër të konfliktit. Foto OSBE 25 dhjetor 1998

Ish-kreu i misionit në Kosovë, i cili u koordinua nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, është një diplomat veteran i njohur në fushën e minuar politike të Ballkanit.

Ai pati një karrierë 37-vjeçare në Shërbimin e Jashtëm të ShBA-së dhe shërbeu gjithashtu si zëvendësndihmëssekretar i shtetit nga viti 1985 deri në vitin 1988 dhe ambasador në El Salvador nga viti 1988 deri në vitin 1992.

Ish-ambasadori Walker dhe ish-shefi i misionit të OSBE-së për verifikimin e armëpushimit në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, kishte motivacionin për të shfaqur kontribut në ndërgjegjësimin e publikut ndërkombëtar për masakrat dhe krimet serbe gjatë luftës në Kosovë.

18 vjet pas kryerjes së masakrave, statuja e Walker, në janar të vitit 2016, ishte vendosur në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, ku 45 civilë shqiptarë, përfshirë edhe të moshuar dhe fëmijë, u masakruan nga forcat serbe.

Pas vrasjes masive, Walker kishte shkuar në vendin e ngjarjes, duke u bërë dëshmitari i parë ndërkombëtar që i dërgoi një mesazh botës se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte “një krim kundër njerëzimit”.

Ambasadori William Walker, Shef i Misionit Verifikues të Kosovës takohet me banorët vendas në Klinë, Kosovë në janar 1999.

Mesazhi i tij ishte një faktor i rëndësishëm në vendimin e NATO-s për përdorimin e forcës kundër regjimit serb në Kosovë.

Pra, deklarata e tij ishte një nga momentet kyçe që çoi në bombardimet e NATO-s kundër ish-presidentit jugosllav, Millosheviq dhe forcave të tij.

Ai kishte insistuar në dëshminë e tij në Hagë se Sllobodan Millosheviqi kishte njohuri për ngjarjet në Kosovë dhe se duhej të mbante përgjegjësi për mizoritë e kryera atje.

Sulmi në Reçak ishte pjesë e aktakuzës së Gjykatës së Hagës kundër Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, por vendimi nuk u dha kurrë sepse ai vdiq në vitin 2006.

Ai përballej me pesë akuza për krime lufte në Kosovë dhe ishte paditur për 61 akuza të tjera për krime lufte, përfshirë gjenocidin, për krime të dyshuara në Kroaci dhe Bosnje.

Dëshmia e Walker ishte kyçe në përpjekjet e prokurorisë për të vërtetuar fajësinë e Millosheviqit, dhe ai asnjëherë nuk është lëkundur në mendimin e tij.

Ambasadori William Walker (majtas), Shefi i Misionit Verifikues të Kosovës, viziton zyrën e OSBE-së në Malisevë dhe inspekton tabelat e reja “pa armë zjarri”, janar 1999.

Dëshmia e Walker-it për masakrën mizore në Raçak, në veçanti kishte për qëllim të vërtetonte se Millosheviqi ishte përgjegjës për ngjarjet në Kosovë dhe se bombardimi i NATO-s ndaj Serbisë, ishte një përgjigje e justifikueshme.

Për të theksuar rëndësinë e rrëfimit të tij, gjyqtarët në gjykatën e Hagës i dhanë Walkerit gati dy ditë për të dëshmuar. Në të kundërt, kur Millosheviqi e pyeti se sa kohë duhej të merrte në pyetje dëshmitarin, gjyqtari i kishte thënë: “Tri orë, jo më shumë: nëse përmbaheni nga debati me dëshmitarin, nëse përmbaheni nga përsëritja e pyetjes, nëse bëni pyetje të shkurtra, do të mund të flisni më shumë.”

Pavarësisht nga ky paragjykim i dukshëm nga ana e gjykatës, gjërat nuk dolën ashtu siç donte prokuroria. Dëshmia e Walker shërbeu për të nxjerrë në pah rolin qendror që ai kishte luajtur në shpalljen e Raçakut si një masakër dhe duke hapur kështu rrugën për bombardimin e Jugosllavisë nga NATO.

Trupat amerikane priten me entuziazëm teksa futen në qytetin kosovar të Gjilanit.

Para paraqitjes së tij në Hagë, dy nga inspektorët e armëve të Walker-it kishin dhënë dëshmi për ngjarjet në Kosovë që çuan në bombardimin e NATO-s – zëvendësi i tij gjenerali Karol Drewienkiewicz dhe koloneli Richard Ciaglinski. Ata gjithashtu kishin dhënë dëshmi për masakrën në Reçak.

Çfarë ndodhi në Reçak?

Më 15 janar 1999, personeli i policisë dhe ushtrisë serbe, i shoqëruar nga inspektorët e KVM-së dhe mediat, organizuan një operacion kundër shqiptarëve etnikë të armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ata mendonin se ishin fshehur në Raçak, pasi zunë pritë dhe vranë tre policë.

Një varg arkivolesh të mbështjellë me flamurin shqiptar duke kaluar nëpër një turme prej më shumë se 10 mijë vajtuesish në Raçak. Foto Reuters

Dy ditë më vonë, pas luftimeve të forta midis forcave jugosllave dhe UÇK-së, Drewienkiewicz dhe Walker vizituan zonën.

Drewienkiewicz kishte shpjeguar se si gjatë rrugës, “Walker më bëri të qartë se do të mbaja një qëndrim jashtëzakonisht të pakompromis në këtë çështje.” Kur kishin arritur në Reçak, UÇK-ja i kishte dërguar ata në një gropë që përmbante 45 trupa të vdekur.

Pasi trupat u zbuluan, Drewienkiewicz i kishte thënë gjykatës “Asistenti i Walker-it nxitoi në majën e një kodre për të telefonuar me NATO-n”, shkruan gazeta e lëvizjes ndërkombëtare trockiste, WSWS.

Vizita e ambasadorit William Walker tek trupat e pajetë të civilëve shqiptarë në Reçak

Në një konferencë për shtyp atë mbrëmje, Walker kishte njoftuar se kishte ndodhur një masakër (pa përmendur vdekjen e tre policëve).

Ndërkaq, Walker shpesh viziton Kosovën në janar për të përkujtuar masakrën e Reçakut, të cilën ai e shpalli krim kundër njerëzimit në vitin 1999, pasi vizitoi skenën e vrasjeve të nesërmen.

Ai, të shtunën e 14 janarit 2023, u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti i Pejës.

Edhe në këtë ditë, ai zgjodhi ta përmendë rastin për të cilin e nderon shumë Kosova, dokumentimin e Masakrës së Reçakut në opinionin ndërkombëtar.

Shija e redaktorit

Libraria “Dukagjini” fiton çmimin FIDES 2022 për kontributin korporativ

Libraria "Dukagjini" ka marrë të mërkurën e 18 janarit çmimin FIDES 2022 për kontribut korporativ. Ky çmim librarisë "Dukagjini", ju dha për kontributin e vazhdushëm...

Libraria Dukagjini vjen me “BookFest” në Albi Mall

Libraria “Dukagjini” dhe “Albi Mall” kanë bashkuar forcat për një superfestë të librit, me shumë aktivitete e superatmosferë. Për dhjetë ditë me BookFest-in e librarisë...

Arti dhe kultura janë letërnjoftim nacional

Selman Jusufi, i cili ka studiuar Artin dramatik në Universitetin e Prishtinës, nga viti 1973 deri më 1985, ka qenë i angazhuar në Teatrin...

Më të lexuarat

Lajçak ‘befason” thotë se me Kurtin kanë rënë dakord që...

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, ka njoftuar nëpërmjet rrjetit të tij social se është në Kosovë, për të...

Gjendet pa shenja jete një person në Gjakovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur një person pa shenja jete në shtëpinë e tij në Gjakovë. Në raportin 24-orësh thuhet se njësitë...

Barrikadat, KFOR-i paralajmëron ndërhyrje nëse ato nuk largohen

Efikasiteti i këtyre mjeteve të rënda të KFOR-it është testuar hiç më larg se dy ditë më parë. Ushtrimet e 19 dhjetorit i kanë mundësuar...

Të fundit nga rubrika