Analisti politik dhe ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se përvoja e bashkëpunimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duhet të shërbejë si një mësim për të gjitha partitë politike .
Në Debat Plus, Ymeri u shpreh se çdo bashkëpunim me Kurtin përfundon me tensione dhe përplasje, pasi, sipas tij, Kurti e shfrytëzon çdo moment për të “goditur” partnerët e tij politikë.
“Duhet me qenë shkollë dhe mësim për të gjithë, që bashkëpunimi me Albin Kurtin nuk mund të bëhet sepse nënkupton mundësi për të vazhdimisht më të godit, sa herë t’i vjen rasti. Secilin moment të caktuar që ta gjen ai rastin të godet kur je duke bashkëpunuar…
Në anën tjetër mendoj se kjo e shpërfaqë, Albin Kurti nuk ka dashtë bashkëpunim. Nëse kish dashtë ia kish nis e kish bë marrëveshjen me Fatmir Limaj, pastaj do të vazhdonte te LDK-ja, tjetri e më radhë, kur ti dëshiron bashkëpunim, qata të parët të interesuar e bën marrëveshjen e me ta. Kur nuk dëshiron me themelu qeverinë, e keqpërdor atë të drejtë që ta ka thënë Kushtetuesja në vitin 2014 për t’i bllokuar institucionet”, ka thënë Ymeri.