Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina rrallëherë bien dakord për çfarëdo çështjeje. Por ndërsa delegacionet e tyre mblidhen në Abu Dhabi për takimin e parë trepalësh që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, të tria palët duket se kanë arritur në të njëjtin përfundim: vetëm një çështje ka mbetur për t’u zgjidhur.
Kjo çështje është territori – konkretisht rajoni lindor i Ukrainës i pasur me minerale, i njohur si Donbasi. Dhe, bazuar në deklaratat e bëra nga palët përpara takimit, ka pak gjasa që kjo çështje të zgjidhet, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është “ende herët” për të nxjerrë përfundime nga bisedimet trepalëshe të së premtes mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës, të mbajtura në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Është ende shumë herët për të nxjerrë përfundime mbi përmbajtjen e negociatave të sotme – do të shohim se si do të zhvillohen bisedimet nesër dhe cilat do të jenë rezultatet. Është e domosdoshme që jo vetëm Ukraina të dëshirojë përfundimin e kësaj lufte dhe arritjen e sigurisë së plotë, por që një dëshirë e ngjashme të lindë disi edhe në Rusi,” tha ai në fjalimin e tij të përditshëm.
Bisedimet nisën të premten në Abu Dhabi dhe do të vazhdojnë edhe të shtunën.
Udhëheqësi ukrainas theksoi se është në “kontakt të vazhdueshëm” me negociatorët ukrainas, të cilët po diskutojnë “parametrat për përfundimin e luftës”.
Zelensky tha se gjëja kryesore në këto bisedime është që Rusia më në fund të jetë e gatshme ta përfundojë luftën.
“Qëndrimi i Ukrainës është i qartë. Kam përcaktuar kornizën e dialogut për delegacionin tonë,” u shpreh ai.