Katër vjet nga nisja e pushtimit të plotë rus, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Rusia nuk ka arritur qëllimet e saj dhe se Ukraina do të bëjë gjithçka për të siguruar paqe dhe drejtësi.
Në një mesazh të publikuar në Telegram, Zelensky tha se kanë kaluar saktësisht katër vjet që kur presidenti rus Vladimir Putin nisi, siç u shpreh ai, “shtytjen tre-ditore për të marrë Kievin”.
“Ky fakt flet shumë për qëndresën tonë, për mënyrën se si Ukraina ka luftuar gjatë gjithë kësaj kohe”, theksoi ai.
Sipas Zelenskyt, pas këtyre fjalëve qëndrojnë “miliona njerëz, guxim i jashtëzakonshëm, punë e palodhshme dhe një rrugë e gjatë që Ukraina ka bërë që nga 24 shkurti 2022”.
Ai shtoi se Ukraina ka mbrojtur pavarësinë dhe nuk e ka humbur shtetësinë. “Putini nuk i ka arritur qëllimet e tij. Ai nuk i ka thyer ukrainasit dhe nuk e ka fituar këtë luftë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Zelensky bëri të ditur se të paktën 55 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus.
Ndërkohë, vlerësime të tjera sugjerojnë se numri i viktimave mund të jetë dukshëm më i lartë, raporton BBC.
Sipas të dhënave të publikuara nga BBC, janë konfirmuar mbi 180 mijë emra të ushtarëve të vrarë në anën ruse, megjithëse besohet se shifrat reale janë më të larta për shkak të mungesës së regjistrimeve të plota në fushëbetejë.
Rusia ka zgjeruar gradualisht territorin nën kontroll në Ukrainë gjatë këtyre katër viteve, ndërsa qytetarët ukrainas kanë dëshmuar se lufta ka ndryshuar thellësisht jetën dhe përditshmërinë e tyre.
“Ne e kemi ruajtur Ukrainën dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur paqen dhe drejtësinë. Lavdi Ukrainës!”, përfundoi Zelensky.