Zelensky: Ukraina përballet me mungesë raketash për shkak të luftës në Lindjen e Mesme

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina do të përballet me mungesë raketash që po i përdor në luftën kundër Rusisë, për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, presidenti ukrainas tha se Vladimir Putin dëshiron një “luftë të gjatë” mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, sepse kjo do ta dobësonte Kievin, duke i zhvendosur burimet amerikane diku tjetër.

Zelensky gjithashtu pretendoi se presidenti amerikan Donald Trump nuk është “në anën e askujt” në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe nuk dëshiron ta “irritojë” Putinin, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Ai u bëri thirrje Trump-it dhe Keir Starmer që të takohen dhe të gjejnë një qëndrim të përbashkët, pas kritikave të përsëritura të presidentit amerikan ndaj kryeministrit britanik.

Tashmë në javën e tretë, konflikti në Lindjen e Mesme është përhapur në gjithë rajonin e Gjirit, teksa Irani ka sulmuar shtetet fqinje si kundërpërgjigje ndaj goditjeve të SHBA-së dhe Izraelit.

Zelensky tha se ka një “ndjesi shumë të keqe” për ndikimin e këtij konflikti në luftën në Ukrainë, duke shtuar se negociatat për paqe po “shtyhen vazhdimisht”.

“Ka një arsye – lufta në Iran”, tha ai.

Ai theksoi se situata po i shkon për shtat Putinit, pasi rrit çmimet e energjisë – gjë që është problem për Ukrainën – dhe mund të sjellë mungesë raketash.

“Për Putinin, një luftë e gjatë në Iran është avantazh. Përveç çmimeve të energjisë, kjo nënkupton shterim të rezervave amerikane dhe të prodhimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore. Pra, ne kemi shterim të burimeve”, tha ai.

Zelensky paralajmëroi se do të ketë patjetër mungesë të raketave Patriot, gjë që do të jetë një sfidë serioze, duke shtuar se pyetja tani është “kur do të shterojnë të gjitha rezervat në Lindjen e Mesme”.

“Amerika prodhon 60–65 raketa në muaj. Imagjinoni, 65 raketa në muaj janë rreth 700–800 në vit. Ndërsa vetëm në ditën e parë të luftës në Lindjen e Mesme u përdorën 803 raketa,” tha ai.

Zelensky foli edhe për qëndrimin e homologut të tij amerikan ndaj luftës në Ukrainë, duke thënë se Trump dëshiron të jetë ndërmjetësues dhe jo të marrë anë.

Ai shtoi se mendon që Trump “dëshiron ta përfundojë këtë luftë”, por se strategjia e tij dhe e këshilltarëve të tij është dialogu i afërt me Putinin dhe “mosirritimi i tij”, pasi sipas tyre Europa e ka irrituar dhe Putini nuk dëshiron të bisedojë me të.

Lufta e nisur nga goditjet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit ka sjellë edhe tensione diplomatike, pas kritikave të Trump ndaj aleatëve të NATO-s dhe ndaj Starmer-it për mungesë veprimi ushtarak.

Duke folur pas takimit me Starmer-in, ai tha se, edhe pse nuk dëshiron t’i tregojë Trump-it çfarë të bëjë, do të donte që ata të takohen për të “rifilluar marrëdhënien”.

“Do të doja shumë që Presidenti Trump të takohej me Starmer-in… në mënyrë që të kenë një qëndrim të përbashkët,” tha ai.

 

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika