Analisti politik Adrian Zeqiri ka deklaruar në emisionin FIVE në RTV Dukagjini se nuk sheh asnjë arsye që procesi i formimit të institucioneve të vendit të zvarritet.
Sipas tij, deri më tani nuk ka asnjë sinjal që do të çonte në kontestimin e rezultateve zgjedhore.
“Nuk do të ketë konestim të rezultateve, së paku bazuar në atë që kemi parë deri tash. Pres që certifikimi të kryhet shpejt”, ka thënë Zeqiri
Ai ka shtuar se, duke marrë parasysh shumicën solide që ka siguruar Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka hapësirë për vonesa në funksionalizimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera.
“Meqë Lëvizja Vetëvendosje ka një shumicë të mjaftueshme për funksionalizimin e Kuvendit, nuk shoh ndonjë arsye që do të çonte në zvarritje apo zhagitje të procesit”, ka theksuar ai.
Të njëjtin vlerësim ka ndarë edhe bashkëbiseduesi i tij, profesori Kolë Krasniqi, i cili ka deklaruar se këtë herë procesi postzgjedhor pritet të jetë më i shpejtë se në zgjedhjet e kaluara.
Sipas Krasniqit, rezultati pritet të certifikohet pa vonesa dhe nuk ekzistojnë pengesa administrative apo të ndonjë natyre tjetër që do të mund ta pengonin konstituimin me kohë të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.