Nga takimi me liderët e partive politike, presidentja Vjosa Osmani doli edhe me një temë e cila në vitin 2013 për pak nuk ishte kthyer në realitet.
Ideja që Presidentit të zgjidhet me votë të drejtpërdrejt nga populli, të cilën Osmani tha se përkrah në parim.
Ish-profesori i së drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu tregon se para gati 12 viteve ishte themeluar edhe një komision nga Kuvendi, me deputetët që kishin për detyrë të e përpilojnë ndër të tjera edhe ligjin për presidentin me votim të drejtpërdrejt nga populli.
Atë kohë, sipas Baraliut procesi kishte dështuar sepse klasa politike kishte vlerësuar se do t’u humbisnin privilegjet.
Edhe në atë kohë edhe tash sipas tij, ky proces është i ndërlikuar dhe kërkon shumë vullnet.
“Me Kushtetutën e tanishme, dispozitat e nenit 84 Presidenti i vendit ka diku rreth 30 kompetenca dhe autorizime, varet se si do t’i ketë me atë ndryshim plotësim që do të bëhet, se do të duhej të bëhej ligji për Presidentin, pra siç e thash. Më saktësisht edhe në Kushtetutë me një nen ku definicioni i karakterit të Republikës tonë nga parlamentare ndryshohet me këtë fakt dhe bëhet gjysëm presidenciale dhe gjysëm parlamentare e aty do të renditen sa kompetenca, ka shumë apo pak, do të vlerësohet tani dhe do të ketë në formumilin e ri të ndryshim plotësimit të Kushtetutës dhe të ligjit për presidenten”, ka thënë Mazllum Baraliu, ish-Profesor i së Drejtës Kushtetuese.
Vlerësim të njëjtë kanë edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke theksuar se edhe nëse egziston vullneti politik ky proces mund të marr vite deri tek ndryshimet Kushtetuese.
“Nëse i shtojmë kompetencat e Presidentit kjo nënkupton se duhet të marrim kompetenca qoftë nga Kuvendi qoftë nga ekzekutivi, e pastaj të kalojmë nga një demokraci në një sistem qoftë gjysëm presidencial ose presidencial, dhe për këtë e thash në fillim se kërkon debat kërkon konsultime të cilat mund të marrin vite e vite”, ka thënë – Ehat Miftaraj – Drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Republika e Kosovës është shtet me sistem parlamentar, ku Kuvendi e zgjedh Presidentin me të paktën 80 vota.
Çdo ndryshim i Kushtetutës, përpos 2/3 e votave nga 120 deputetët, kërkon edhe 2/3 e votave e të gjithë deputëteve që mbajnë vendet e rezervuara, përfshirë edhe komunitetin serb.
Për shkak të pamundësisë për t’i marr votat e minoritetit serb, edhe transformimi i FSK-së në ushtri është bërë me ligje të veçanta e jo me ndryshim të Kushtetutës.