ZKA dërgon 69 raste në Prokurori: Shkelje në prokurorimin publik, subvencione dhe transfere

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar tek Prokurori i Shtetit gjithsej 69 çështje të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për sezonin 2024/2025.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se këto çështje lidhen kryesisht me dyshime për shkelje dhe parregullsi në prokurimin publik, subvencione dhe transfere, investime kapitale, si dhe paga dhe mëditje.

“Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar tek Prokurori i Shtetit gjithsej 69 çështje të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për sezonin 2024/2025. Këto çështje lidhen kryesisht me dyshime për shkelje dhe parregullsi në prokurimin publik, subvencione dhe transfere, investime kapitale, si dhe paga dhe mëditje. Konkretisht, shpërndarja e rasteve sipas fushave është: 37 raste në prokurimin publik, 19 raste në subvencione dhe transfere, 8 raste në investime kapitale, 4 raste në paga dhe mëditje dhe 1 rast në të hyrat. Sipas llojit të institucioneve, 47 raste vijnë nga komunat, 12 raste nga ministritë, 7 raste nga ndërmarrjet publike dhe 3 raste nga institucione të tjera. ZKA tashmë ka marrë konfirmim nga Zyra e Prokurorit të Shtetit se të gjitha 69 çështjet janë dorëzuar tek prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme ligjore. Sipas planit vjetor, pas publikimit të raporteve të auditimit të pajtueshmërisë dhe të performancës, rastet e reja të identifikuara do të analizohen dhe do t’i përcillen Prokurorit të Shtetit gjatë muajve në vijim”, tha Halilaj.

Ai theksoi gjithashtu se ZKA ka evidentuar probleme të theksuara në mbrojtjen e pasurive natyrore dhe në menaxhimin e energjisë së ripërtëritshme.

“ZKA ka vërejtur menaxhim jo efektiv të Parqeve Kombëtare për kohë të gjatë. Në parqet ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe ‘Sharri’ janë regjistruar prerje të shumta ilegale dhe ndërtime pa leje. Mungesa e rojeve pyjore ka bërë që deri në 70% e territorit të mbetet pa mbrojtje”, tha ai.

“Për sa i përket Menaxhimit të Fondit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, subjekt i auditimit ishin KOSTT, Ministria e Ekonomisë dhe ZRRE dhe ka mbuluar periudhën 2017-2024. ZKA ka vërejtur se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nuk kishte arritur të menaxhojë Fondin në mënyrë efikase. Janë identifikuar mangësi gjatë fazës testuese të prodhuesve të burimeve të ripërtërishme të energjisë, po ashtu edhe në procesin e organizimit të shitblerjes së energjisë së ripërtërishme si dhe në realizimin e të hyrave për Fondin. Më tutje, Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka kryer monitorimin efektiv të Fondit. Ministria e Ekonomisë nuk ka bërë monitorimin e zbatimit të politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe arritjen e caqeve të cilat i kishte vendosur para vitit 2020. Gjetjet kryesore të këtij auditimi janë: mangësi të fazës testuese dhe certifikimit të prodhuesve të energjisë së ripërtërishme, KOSTT-i nuk kishte menaxhuar balancat në mënyrë efikase, Ministria e Ekonomisë nuk ka qenë mjaftueshëm aktive në monitorimin dhe përshtatjen e caqeve karshi zhvillimeve në sektorin e burimeve të ripërtërishme të energjisë”, tha Halilaj.

Ndërkaq, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2024, duke bërë të ditur se buxheti i shtetit është mbyllur me suficit, por me sfida serioze në zbatimin e projekteve kapitale.

“T’ju prezantojmë nga afër rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2024, të cilin, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, e kemi dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës para datës 31 gusht. Ky raport përfshin opinionin e auditimit mbi Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2024, si dhe një përmbledhje të rezultateve kryesore të sezonit auditues 2024/2025. Me përfundimin e këtyre raporteve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka realizuar planin vjetor të punës për sezonin 2024/2025, duke përmbyllur gjithsej 127 auditime”, tha ajo.

“Sa i përket performancës financiare të buxhetit të shtetit për vitin 2024: Të hyrat e shtetit arritën mbi 3.2 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 368 milionë eurosh ose 13% më shumë se vitin e kaluar. Shpenzimet e përgjithshme ishin afër 3.2 miliardë euro, që përfaqëson 88% të buxhetit final për shpenzime, me një rritje prej 270 milionë eurosh krahasuar me vitin paraprak. Bilanci bankar, deficiti buxhetor dhe borxhi publik janë mbajtur brenda kufijve ligjor. Viti 2024 është mbyllur me një suficit buxhetor prej 52.8 milionë euro, ose 0.5% të BPV-së. Sa i përket borxhit publik, në fund të vitit ai ishte 1.7 miliardë euro, që përbën 16.9% të BPV-së. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur një rritje prej 74 milionë eurosh ose 4.5%. Megjithatë, vazhdon të mbetet sfidë fakti se fondet e huazuara nga jashtë nuk janë përdorur me efikasitet, pavarësisht pagesës së interesit huamarrës. Kryesisht kjo, për shkak të problemeve në planifikimin dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore, si dhe vështirësive me procesin e shpronësimeve. Projektet e pa filluara apo realizuara nga këto fonde, janë në vijim: për 10 kredi të projekteve në vlerë prej rreth 197 milionë euro, të ratifikuara gjatë viteve 2016-2024, fondet nuk janë tërhequr (disbursuar) fare; ndërsa për 12 kredi të tjera, me vlerë 275 milionë euro, të cilat duhet të përmbyllen deri më 2026, deri në fund të vitit 2024 janë shfrytëzuar vetëm 114 milionë euro apo 42% e mjeteve”, tha Spanca.

Ajo prezantoi edhe gjetjet specifike për komunat.

“Auditimi tregon se Komuna e Prishtinës ka shfaqur mangësi serioze në administrimin e pasurisë publike, gjë që rrezikon ligjshmërinë, transparencën dhe interesin publik. Ndër gjetjet kryesore të identifikuara nga auditimi do t’i përmend në vijim, si: Komuna nuk ka menaxhuar si duhet pronat nën administrimin e saj. Kontrollet e brendshme nuk kanë funksionuar dhe procesi i planifikimit nuk ka qenë i plotë e transparent. Mungon një regjistër i përditësuar i pronave, nuk janë miratuar rregullore të brendshme dhe lista e vitit 2024 nuk është aprovuar nga Kuvendi Komunal. Janë identifikuar raste kur prona është dhënë në shfrytëzim pa respektuar procedurat ligjore dhe pa miratimin e Kuvendit Komunal”, tha Spanca.

“Auditimi i kryer në Komunën e Prizrenit ka nxjerrë një sërë mangësish, si: mosrespektimi i afateve ligjore nga ofertuesit dhe mosveprimi i komunës për ekzekutimin e sigurimit të ofertës. Vendimet e Kuvendit Komunal për dhënien e pronave pa vlerësimin e ligjshmërisë nga MAPL dhe devijimi nga qëllimi i investimit. Bëhet fjalë për pronën e dhënë me qira në Tregun ‘Bajram Curri’ në Prizren për të cilin MAPL ka konstatuar se vendimi për qiradhënie nuk është në përputhje me dispozitat ligjore duke theksuar anashkalimin e përfitimit ekonomik dhe interesit publik. Për më tepër, pavarësisht qëllimit të dhënies me qira, ZKA ka vërejtur se përfituesi i pronës ka ndërtuar lokale afariste të ndryshme e jo një objekt për ruajtjen dhe konservimin e produkteve bujqësore siç ishte paraparë në kontratë. Dhënia me qira e pronës palëve të treta pa aprovimin e Kuvendit Komunal. Kjo është identifikuar në 8 raste. Menaxhimi jo i mirë i kontratave, mungesa e mbikëqyrjes dhe përdorimi i pronave nga palë të treta pa aprovime kanë cenuar integritetin dhe legjitimitetin e menaxhimit të pasurisë komunale. Informimi i pamjaftueshëm i Kuvendit Komunal mbi kontratat dhe gjendjen e pronave kufizon vendimmarrjen efektive, duke reflektuar menaxhim të dobët, ulë transparencën dhe rrit rrezikun e keqmenaxhimit të aseteve komunale. Po ashtu, edhe në Komunën e Gjilanit ZKA ka identifikuar një sërë mangësish”, tha ajo.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

Të fundit nga rubrika