“Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm. Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra ZRRE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, thuhet në komunikatën për media kur u bë publikimi i raporteve konsultative për të hyrat e lejuara maksimale për operatorët dhe furnizuesit.
ZRRE thekson se gjatë analizës së aplikacioneve të pranuara nga ndërmarrjet energjetike është konstatuar se në vitin 2026 pritet prodhim më i ulët vendor për shkak të remonteve në termocentrale, gjë që do të rrisë varësinë nga importi i energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, konsumatorët, ndërmarrjet dhe palët e interesuara kanë mundësi të paraqesin komentet e tyre deri më 24 prill, pas së cilës Bordi i ZRRE-së pritet të marrë vendimin përfundimtar.
Në strukturën aktuale të tarifave me pakicë për konsumatorët e shërbimit universal, tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor – 31 mars, ndërsa prej orës 08:00 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill – 30 shtator.
Tarifa e lartë për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovat-orë në muaj është 9.05 centë për kilovat, ndërsa tarifa e ulët 3.88 centë. Për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat-orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulët 7.28 centë.
Në janar, të tre operatorët kishin kërkuar shtrenjtim të energjisë elektrike, ku KESCO kishte kërkuar rritje rreth 20 për qind.