Komisioni i Pavarur i Mediave, ndonëse jofunksional për shkak të mungesës së kuorumit, ka konstatuar shkelje pa pasur një vendim nga Komisioni. Këtë e ka bërë Zyra Ekzekutive e KPM-së, pa mandat.
Kështu është vepruar në rastin e ankesës së kandidates së Partisë Socialdemokrate (PSD), Besa Shahini ndaj emisionit Debat Plus të TV Dukagjinit për debatin e organizuar për Prishtinën, më 9 tetor 2025, gjatë fushatës zgjedhore. Në këtë emision, morën pjesë vetëm tre nga dhjetë kandidatët që ishin në garë nga partitë politike.
Rregullorja për Obligimet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale gjatë Fushatës Zgjedhore, obligon mediet që debatet politike gjatë fushatës zgjedhore të organizohen në atë mënyrë, duke ndarë kohën e njëjtë dhe të barabartë për secilin subjekt të certifikuar politik, pa marrë parasysh fuqinë e përfaqësimit të tyre politik.
“Ne bëmë ankesën për debatin ku unë nuk kam qenë e ftuar si kandidate për kryetare të Prishtinës, ngase ishte në shkelje të Rregullores që vetë Komisioni e ka nxjerrë në dhjetor të vitit 2024”, tha Besa Shahini- kandidate për kryetare të Komunës se Prishtinës
Rreth ankesës së PSD-së, më 21 tetor, Shahini ka publikuar një dokument të KPM-së, të datës 17 tetor 2025, me titullin “përgjigje në ankesë”.
Në këtë dokument, thuhet se Zyra Ekzekutive ka trajtuar ankesën e kandidates Shahini, ka kërkuar nga TV Dukagjini sqarime lidhur me ankesën, por nuk ka pranuar përgjigje. Tutje, thuhet se Zyra Ekzekutive për shkeljet e bëra, ka udhëzuar TV Dukagjinin që menjëherë të veprojë në pajtueshmëri me Rregulloren KPM-së për zgjedhjet.
Pa paragjykuar meritat e rastit, Zyra Ekzekutive rezulton se ka tejkaluar kompetencat dhe autorizimet që ia përcakton Ligji për KPM dhe aktet nënligjore. Zyra Ekzekutive në këtë rast ka vepruar sikurse të ishte vendim i Bordit të KPM-së, i cili Bord është jofunksional që nga muaji janar i këtij viti për shkak të mungesës së kuorumit të anëtarëve të këtij Bordi.
Për të sqaruar këtë shkresë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar ushtruesin e detyrës se Kryeshefit Ekzekutiv të KPM-së, Niman Racaj.
“Jo po s’ka vendim aty. Duhet me sqaru këtë send. Domethënë ai është një udhëzim vetëm njoftim është sipas ligjit të KPM-së, nenit 29. S’ka të bëjë fare me kompetenca, vendimmarrje këtu ajo veç është udhëzuar nëse nuk merr veprime atëherë mundet me u marrë si rrethanë renduese, kur të vendoset prej komisionit lënda”, tha Racaj.
“Që 20 vite zyra ekzekutive operon me këtë standard. Nëse kjo nuk bëhet prej neve atëherë ne s’duhet me shku në punë hiç. A po e din, i bjen që me ndejtë në shtëpi nëse s’e bëjmë edhe këtë punë. Kështu që ne jemi të obliguar me operuar në këtë mënyrë. Jemi të obliguar me monitoruar pajtueshmërinë e mediave me ligjin. Kjo është një lloj monitorimi, një lloj e përgatitjes së lëndës për komisionin nuk është vendim, është vetëm njoftim. Thjesht ja jap mundësinë me ardhë në pajtueshmëri”, shtoi Racaj.
Mirëpo, neni 29 i Ligjit për KPM, të cilit i referohet Racaj, ka të bëjë me shkeljen e kushteve të licencës, për të cilën vendos KPM e assesi Zyra Ekzekutive. Kjo e fundit, nuk ka pasur asnjë lloj kompetence që të konstatojë shkelje në lidhje me ankesën, e aq më tepër ta njoftojë TV Dukagjinin dhe palën ankuese, pa u shqyrtuar dhe vendosur paraprakisht ankesa nga KPM-ja.
“Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet, prej së cilës ka derivuar Rregullorja për Obligimet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale gjatë Fushatës Zgjedhore, përcaktohet që procedura e ankesave për shkelje të kësaj rregullore të zhvillohet në përputhje me Rregulloren për Procedurën e Trajtimit të Ankesave në KPM, ku trajtimi i ankesave dallon vetëm në kuptimin e afateve kohore të trajtimit të tyre. Sipas saj, palët pranojnë vetëm vendimet e miratuara nga KPM, e jo edhe konstatimet e Zyrës Ekzekutive në lidhje me ankesat përkatëse. Në këtë rast, vendimet nga KPM merren nga Komisioni i KPM, i cili aktualisht për fat të keq është në mungesë të kuorumit dhe praktikisht është jofunksional”, thotë Florian Smajli- hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Pavarësisht, përmbajtjes në të cilën konstatohet shkelja e TV Dukagjinit, në fund të këtij njoftimi, theksohet se Komisioni i KPM-së nuk është në përbërje të plotë dhe sapo të jetë funksional do ta shqyrtojë si rast këtë ankesë dhe se do të marrë një vendim.
“Ky është paradoksi i kësaj shkrese, ku në përmbajtje të saj, subjekti njoftohet për shkeljen e bërë, ankuesi në të njëjtën kohë njoftohet se shkelja është konstatuar dhe se për këtë subjektin e kanë njoftuar që të veprojë për ta korrigjuar, ndërsa më pas thotë se për këtë ankesë do të vendos Bordi i KPM-së, sapo të bëhet funksional”, tha Smajli.
Në anën tjetër, në një përgjigje me shkrim për “Betimin për Drejtësi”, Dibran Istrefi- drejtor i Informacionit në TV Dukagjini, ka mohuar pretendimet e ankeses së Besa Shahinit, si dhe konstatimin e Zyrës Ekzekutive të KPM-së për shkelje të rregullave nga emisioni Debat Plus. Sipas Istrefit, kandidatja Shahini ka qenë e ftuar në disa formate televizive të këtij televizioni, përfshirë edhe emisionin “Debat Plus”, në të cilin është transmetuar debati mes tre kandidatëve për Kryetar të Prishtinës. Ai ka theksuar se më 9 tetor, Shahini ka pranuar një ftesë për tu paraqitur në kuadër të këtij emisioni, në një hapësirë të rezervuar për të prej 40 minutash. Por, sipas tij, kandidatja Shahini nuk i është përgjigjur këtij interesimi të emisionit “Debat Plus” për të marrë pjesë në intervistë.
“Bazuar në rregulloren në fuqi, nenin 12 të saj ku rregullohet çështja e debateve politike, askund nuk është e paraqitur shprehimisht se të gjithë kandidatët e një komune të caktuar duhet të ftohen në të njëjtën ditë. Pika dy e nenit 12 udhëzon që të ndahet kohë e njëjtë dhe e barabartë për secilën parti politike. Një gjë të tillë Televizioni Dukagjini e ka bërë duke ndarë kohë të barabartë për subjektet politike. Për këtë arsye Tv Dukagjini ka ndarë një hapësirë prej 40 minuatsh pë znj Shahini. Ankesa e saj e adresuar në këtë formë tingëllon edhe si presion mbi mediat (konkretisht edhe mbi Tv Dukagjinin) duke provuar që të imponoj formën e organizimit të skemës programore dhe emisioneve të caktuara, gjë e cila është totalshit në diskrecion të menaxhmentit të Tv Dukagjini dhe askujt tjetër”, ka thënë Istrefi.
Ndërsa, formën e veprimit të Zyrës Ekzekutive të KPM-së, e cila ka konstatuar se TV Dukagjini ka bërë shkelje të rregullores, Istrefi e ka vlerësuar si arbitrar, të pabazuar dhe jashtë kompetencave të Zyrës Ekzektuive të KPM-së. Një kompetencë të tillë bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi e ka vetëm bordi i KPM-së dhe asnjë organ tjetër. /BetimipërDrejtësi