Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit ka përkujtuar profesorin Ukshin Hoti, në 25-vjetorin e rrëmbimit dhe zhdukjes me forcë të tij.
Gara ka thënë se u bë një çerekshekull që veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti, u rrëmbye dhe zhduk me forcë, teksa ka theksuar se ai po i mungon familjes, studentëve e mbarë shoqërisë e i mungon çështjes kombëtare e progresit që duhet të bëhet më hapa edhe më të përshpejtuar.
“Në këtë çerekshekulli, profesori i mungon familjes, studentëve e mbarë shoqërisë sonë, i mungon demokracisë e Republikës, i mungon çështjes kombëtare e progresit që duhet të bëhet më hapa edhe më të përshpejtuar. Një çerekshekulli, familjarët, shoqëria e institucionet kërkojnë përgjigje për fatin e profesorit mijëra personave të rrëmbyer e zhdukur me forcë”, ka shkruar Gara në Facebook.
Gara ka thënë se politizimi i çështjes së personave të zhdukur nga Serbia është turpi i shekullit XXI.
“Politizimi nga Serbia i këtij procesi është turpi i shekullit XXI”, ka vijuar tutje Gara.
Me rastin e 25-vjetorit të zhdukjes së Ukshin Hotit, Komuna e Rahovecit do të mbajë një organizim nga ora 19:00 në shtëpinë-muze të Ukshin Hotit në Krushë të Madhe.
Më 16 maj 1999, në rrethana ende të pandriçuara, është zhdukur Ukshin Hoti.
Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti, u lind më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të Amerikës, ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar më 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar me 5 vjet burg.
Më 16 maj 1999, pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.