Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar për një përkeqësim të gjendjes ekonomike në vend, duke theksuar se bizneset po përballen me vështirësi të mëdha financiare.
Sipas Tahirit, rritja e çmimit të naftës dhe barrat fiskale janë bërë të papërballueshme për punëdhënësit, duke rrezikuar funksionimin normal të ndërmarrjeve dhe mijëra vende pune.
Ai ka vlerësuar se, në mungesë të veprimeve konkrete, shumë biznese mund të përballen me mbyllje.
Deputeti kritikoi qasjen e Qeverisë ndaj menaxhimit të çmimeve, duke thënë se detyrimi i bizneseve për të operuar me humbje nuk përbën zgjidhje dhe mund të çojë në falimentime.
“Punëdhënësit dhe sidomos bizneset në vend janë në prag KOLAPSI, rrjedhimisht ekonomia e vendit në tërësi. Shteti funksional është në rrezik. PSE? Çmimi i naftës dhe obligimet fiskale janë bërë të papërballueshme për secilin punëdhënës. Çdo ditë pa veprime konkrete në këtë situatë të pazakontë po i shtyn ndërmarrjet drejt mbylljes dhe po rrezikon mijëra vende pune. Kjo qeveri po përpiqet të “luftojë” çmimet duke i detyruar bizneset të shesin me humbje. Kjo nuk është zgjidhje, por është recetë për falimentim”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri theksoi se, sipas praktikave të shteteve të zhvilluara, në situata të tilla duhet të ndërmerren masa si ulja e përkohshme e akcizës dhe TVSH-së, subvencionimi i sektorëve kritikë, krijimi i rezervave strategjike dhe mbështetja direkte për qytetarët.
Në këtë drejtim, Tahiri kërkoi masa urgjente nga institucionet, përfshirë uljen e TVSH-së për të paktën 8 centë dhe heqjen e përkohshme të akcizës për naftën deri në stabilizimin e situatës.
Ai paralajmëroi se, nëse nuk ndërhyhet shpejt, vendi mund të përballet me një valë mbylljesh të bizneseve dhe humbje të vendeve të punës, duke e cilësuar situatën si të rrezikshme për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.