Ushtria amerikane vret zyrtarin e lartë të Shtetit Islamik në Somali

Presidenti i SHBA-së autorizoi sulmin në fillim të kësaj jave, pasi u konsultua me zyrtarë të lartë të mbrojtjes, inteligjencës dhe sigurisë. I vrari, Al-Sudani, ishte përgjegjës për nxitjen e pranisë në rritje të ISIS-it në Afrikë dhe për financimin e operacioneve të grupit në mbarë botën, duke përfshirë edhe Afganistanin

Një sulm ushtarak amerikan në Somali i urdhëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, këtë javë, vrau një udhëheqës kyç rajonal të grupit të Shtetit Islamik , Bilal al-Sudani, sipas zyrtarëve amerikanë.

Sudani u vra të mërkurën gjatë një përleshjeje me armë, pasi trupat amerikane zbritën në një kompleks shpellash malore në Somalinë veriore me shpresën për ta kapur atë.

Rreth 10 nga bashkëpunëtorët e Shtetit Islamik të Sudanit në vendngjarje u vranë, por nuk pati viktima amerikane, thanë zyrtarët të enjten.

“Më 25 janar, me urdhër të presidentit, ushtria amerikane kreu një operacion sulmi në Somalinë veriore që rezultoi në vdekjen e një numri anëtarësh të ISIS-it, përfshirë Bilal al-Sudani”, tha Lloyd Austin, sekretari i mbrojtjes.

“Al-Sudani ishte përgjegjës për nxitjen e pranisë në rritje të ISIS-it në Afrikë dhe për financimin e operacioneve të grupit në mbarë botën, duke përfshirë edhe Afganistanin”, tha Austin.

Dhjetë vjet më parë, para se të bashkohej me IS, Sudani ishte i përfshirë në rekrutimin dhe trajnimin e luftëtarëve për lëvizjen ekstremiste al-Shabaab në Somali.

“Sudani kishte një rol kyç operacional dhe financiar me aftësi të specializuara që e bënë atë një objektiv të rëndësishëm për veprimet kundër terrorizmit të SHBA-së”, tha zyrtari.

Operacioni ishte përgatitur për një periudhë prej muajsh, me forcat amerikane që bënin prova në një vend të ndërtuar për të kopjuar terrenin ku fshihej Sudani.

Biden autorizoi sulmin në fillim të kësaj jave, pasi u konsultua me zyrtarë të lartë të mbrojtjes, inteligjencës dhe sigurisë, tha zyrtari.

“Një operacion i synuar kapjeje u përcaktua përfundimisht si alternativa më e mirë për të maksimizuar vlerën e inteligjencës së operacionit dhe për të rritur saktësinë e tij në terrenin sfidues,” tha një zyrtar tjetër i administratës. “Përgjigjja e forcave armiqësore ndaj operacionit rezultoi në vdekjen e tij”.

I vetmi lëndim i një amerikani në bastisje ishte se një person i shërbimit u kafshua nga një qen i shërbimit ushtarak amerikan , shtoi zyrtari.

Forcat amerikane kanë operuar prej kohësh në Somali në koordinim dhe në emër të qeverisë, kryesisht duke kryer sulme të rregullta ajrore për t’i mbështetur forcat zyrtare që luftojnë rebelët Shabaab.

Disa prej tyre besohet se janë kryer nga një bazë amerikane në Xhibuti në veri të Somalisë.

Sulmet ajrore të SHBA-së në Somali u rritën në dhjetëra në vit gjatë viteve 2017-2020, por gjithashtu përfshinin dy deri në katër operacione tokësore në çdo vit.

Qëkur Biden u bë president në vitin 2021, sulmet ajrore kanë rënë, në vetëm 16 në vitin 2022 dhe asnjë sulm tokësor nuk është regjistruar, sipas të dhënave të përpiluara nga New America, një institut i sigurisë kombëtare.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika