Gjashtë shqiptarë vdiqën si pasojë e përplasjes mes dy trenave në Greqi

Aksidenti në Greqi

Gjashtë shqiptarë kanë vdekur si pasojë e aksidentit në mes të dy trenave që ndodhi të mërkurën në afërsi të Larissas, në Greqi.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, i ka publikuar emrat e viktimave në Facebook.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Kaq shumë jetë të prera në mes kaq papritur e në mënyrë kaq tragjike! Në këtë ditë zije një lutje e veçantë shkon për familjarët e 6 bashkëkombësve tanë që humbën jetën në këtë aksident: Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi, Pavlin Bozo”, ka shkruar ajo.

Flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë, të dielën e pesë marsit, në nderim të viktimave që humbën jetën si pasojë e aksidentit tragjik në Greqi.

Kështu bëri të ditur, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një fotografie të shpërndarë në rrjetin e tij social Facebook.

Qeveria shqiptare ka shpallur ditë zie kombëtare ditën e diel, më pesë mars. Për të nderuar viktimat e këtij aksidenti tragjik, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike në Shqipëri, flamujt do të ulen në gjysmështizë.

Nga përplasja e dy trenave kanë vdekur të paktën 57 persona dhe janë lënduar dhjetëra të tjerë.

Në mesin e të lënduarve janë edhe tetë shtetas shqiptarë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Ata po marrin trajtim të specializuar mjekësor në spitalin e Larisës në Greqi.

Në Greqi po vijojnë ende operacionet e shpëtimit dhe pritet identifikimi edhe i një personi tjetër.

Ky aksident, për të cilin Qeveria ia ka lënë fajin gabimit njerëzor, ka nxitur zemërim dhe protesta në Greqi.

Ministri grek i Transportit dha dorëheqje pas përplasjes së trenave, ndërsa në vend është hapur një debat i madh mbi sigurinë në transportin hekurudhor.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika