Zelensky: Rezultati i betejave në lindje, vendimtar për të ardhmen e Ukrainës

Forcat ukrainase dhe ato ruse janë bllokuar në betejën për të kontrolluar qytetin e Bahmutit, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se e ardhmja e Ukrainës do të vendoset në frontin lindor, ku po zhvillohen luftime “shumë të ashpra”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky

Forcat ukrainase dhe ato ruse janë bllokuar në betejën për të kontrolluar qytetin e Bahmutit, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se e ardhmja e Ukrainës do të vendoset në frontin lindor, ku po zhvillohen luftime “shumë të ashpra”.

Pavarësisht humbjeve të mëdha, forcat ruse kanë vazhduar të kryejnë një valë sulmesh në qytetin ukrainas Bahmut, si dhe në disa lokacione të tjera përreth rajonit lindor të Donjeckut, ka thënë ushtria ukrainase më 14 mars.

“Dje, forcat tona kanë zmbrapsur 102 sulme të armiqve… në Bahmut, armiku nuk ka pushuar në tentimet për ta marrë qytetin”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, duke shtuar se beteja të ashpra po zhvillohen edhe në Liman, Avdivka, Marinka dhe Shahtarsk.

“Është situatë shumë e rëndë në lindje, shumë e dhimbshme”, u ka thënë Zelensky ukrainasve në adresimin e tij të përditshëm.

“Ne duhet të shkatërrojmë fuqinë ushtarake të armikut dhe do ta shkatërrojmë atë. Në Belohorivka, Marinka, Avdivka, Bahmut, Vuhledar, Kamianka dhe të gjitha vendet tjera, është duke u vendosur e ardhmja jonë”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se është mirënjohës ndaj secilit ushtar që po e rrezikon jetën në betejë.

Forcat ukrainase janë duke bërë rezistencë të fortë në perëndim të Bahmutit, duke luftuar kundrejt sulmeve të luftëtarëve të grupit mercenar rus, Wagner.

Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin – i cili e ka postuar një video, ku shihet në qendër të Bahmutit – e ka pranuar se luftëtarët e tij po përballen më shumë vështirësi për të marrë kontrollin e qytetit.

“Situata në Bahmut është e vështirë, shumë e vështirë. Armiku është duke luftuar për çdo metër”, ka thënë Prigozhin në një postim në rrjete sociale, teksa ka treguar pamje të Bahmutit të shkatërruar.

Para luftës, në këtë qytet kanë jetuar rreth 70.000 njerëz.

Lufta për Bahmutin është konsideruar si një prej betejave më të ashpra prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës, kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika