Kurti takohet me Sarrazin: Kosova është konstruktive dhe e gatshme për dialog të hapur

Kosova është konstruktive, kreative dhe e përkushtuar për dialog të hapur dhe thelbësor drejt një marrëveshjeje për normalizim e plotë të marrëdhënieve, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite zyrtare në Francë, është takuar me të deleguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin kanë diskutuar për takimin e 18 marsit në Ohër.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se Kosova është konstruktive, kreative dhe e përkushtuar për dialog të hapur dhe thelbësor drejt një marrëveshjeje për normalizim e plotë të marrëdhënieve.

“Përpara takimit të radhës të nivelit të lartë në Ohër fola me të dërguarin special të Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Ne vazhdojmë të jemi konstruktivë, krijues dhe të përkushtuar ndaj dialogut të hapur dhe thelbësor drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. E falënderova për rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme”, shkroi Kurti.

Ndryshe, kryeministri Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e kanë pranuar në parim planin e BE-së, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, por angazhimin e palëve që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Ata pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.

Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej.

Plani i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por dy vendet do t’i njihnin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat.

Serbia, gjithashtu, nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Plani, po ashtu, u kërkon palëve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Qeveria e Kosovës refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit. Ndërsa, qeveria e Serbisë, në anën tjetër, e sheh Asociacionin si mbrojtje të rëndësishme për serbët në Kosovë.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika