Vendimi për vizat, Kurti: Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti lajm të madh përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave, teksa shtoi se ky vendim e dërgon Kosovën më pranë Bashkimit Evropian

Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje përmbyllen.

Me anë të një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se kjo e çon Kosovën më pranë Bashkimit Evropian.

Ai ka falënderuar eurodeputetët për mbështetjen e tyre.

“Lajm i mirë për Kosovën sot! Parlamenti Evropian miratoi udhëtimin pa viza për qytetarët tanë duke filluar nga 1 janari 2024. Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuuar në pasurinë që ofron BE. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre”, shkroi Kurti.

Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën shengen.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet”, tha Qeveria e Kosovës në një komunikatë dërguar mediave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi këtë vendim si “fitore” jo vetëm për Kosovën, por edhe “për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë”.

“Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, shkroi ajo në Facebook.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Miratohet liberalizimi i vizave për Kosovën

Shija e redaktorit

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

Të fundit nga rubrika