U rrëmbyen nga Njësitë Speciale anti-terroriste, dhe njësitë ushtarake speciale “Kobra”. Me pranga në duar nga specialët serbë u dërguan për në Beograd.
12 ditë pas kidnapimit, po kthehen në Kosovë, prapë nën përcjellje të Policisë së Serbisë, por tash të armatosur lehtë e me sjellje ndryshe.
Para se të hyjnë në territorin kufitjë e të cilit i kanë ruajtur deri më 14 qershor, iu duhet të legjitimohen tek autoritetet serbe.
Pas kësaj procedure oficerët kufitarë, Rifat Zeka, Beqir Sefi e Shem Mustafa u priten ngrohtësisht nga shokët me të cilët kanë misionin e përbashkët.
Nga Gjykata e Kralevës ata u shoqëruan nga Sekretari i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli.
Haxholli ishte ndër të paktit zyrtarë të lartë të pranishëm në pikën kufitare në Merdare.
Nga hierarkia e Policisë në Kosovë përpos zëdhënësit Baki Kelanit të tjerët munguan.
Në kufi nuk u pritën nga zyrtarët e lartë por në shtabin qendror të Policisë në Prishtinë tre oficerët qëndruan për disa orë. E më pas vizituan edhe ministrin Xhelal Sveçla.
Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se “Ministri Sveçla shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi. Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj”.
Përkundër këtyre pretendimeve nga pala serbe, sipas Ministrisë së Jashtme të Kosovës tre policët do të mbrohen në liri.
Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se “Sipas avokatëve mbrojtës, në këtë seancë, Gjykata e Lartë e Kralevës ka konfirmuar Aktakuzën e Prokurorisë së Lartë të Kralevës ndaj tre oficerëve policorë, ku ngarkohen për kryerjen e veprës penale “prodhim, mbajtje dhe qarkullim ilegal i armatimit dhe mjeteve shpërthyese,” sipas nenit 348, paragrafi 4, të lidhur me paragrafin 2 dhe 1 të Kodi Penal të Serbisë. Prokurori nuk ka kërkuar që oficerëve policorë t’u vazhdohet paraburgimi, që Gjykata e ka pranuar, ku si rrjedhojë, u është lejuar të mbrohen në liri, respektivisht të kthehen në Republikën e Kosovës”.
Përkundër këtyre pretendimeve autoritetet e Kosovës kanë ofruar fakte të qarta që dëshmojën se policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.
Dëshmi janë gjetur në vend-ngjarje, përfshirë këtu edhe lokacionin e makinës së tyre e po ashtu edhe rrëfimin nga tre policët, dëshmi që nuk i kanë bindur autoritetet serbe.