Zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, pse ministrat shqiptarë ofruan dorëheqjen e tyre?

Ministrat shqiptarë anëtarë të BDI-së kanë ofruar dorëheqjet e tyre nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për t’i hapur rrugë ndryshimeve kushtetuese për integrim në BE

Ministrat shqiptarë nga Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, së fundmi i kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre te kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Historia e kësaj ngjarjeje daton kur Maqedonia e Veriut e kishte nënshkruar një marrëveshje me Bullgarinë në vitin 2017 për zgjidhjen e problemeve historike dhe gjuhësore. Vetoja e Bullgarisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE u hoq, por ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen për ta vazhduar procesin.

Për këto zhvillime dhe kronologjinë e ardhjes deri te dorëheqja e ministrave të BDI-së, për Portalin Dukagjini ka folur në detaje gazetari nga Maqedonia e Veriut, Xhelal Neziri.

Vetoja e Bullgarisë, sipas gazetarit Neziri, mund të rikthehet nëse Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk arrin t’i miratojë ndryshimet kushtetuese që kërkohen nga marrëveshja me Bullgarinë.

“Maqedonia e Veriut në vitin 2017 nënshkroi një Marrëveshje me Bullgarinë, e quajtur Traktati i Miqësisë së Mirë, me të cilën, pretendohej zgjidhja e problemit shumëvjeçar lidhur me historinë dhe gjuhën maqedonase. Bullgaria thotë se maqedonasit etnikë të sotëm para 1945-ës kanë qenë pjesë e popullit bullgar, kurse gjuha maqedonase – dialekt jug-perëndimor i gjuhës bullgare. Kjo natyrisht se është refuzuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut dekada me radhë, kështu që në vitin 2017 u tentua të mbyllet ky problem me atë që u formua një Komision i përbashkët i historianëve që do të definojë historinë e para 1945 dhe gjuhën”.

“Për shkak të ngecjeve në punën e Komisionit, Bullgaria në vitin 2020 vendosi veto për Maqedoninë e Veriut, duke pamundësuar kështu hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në. Kusht ishte zbatimi i Traktatit të Miqësisë së Mirë. Vetoja u hoq vitin e kaluar, me pranimin dhe miratimin e Propozimit Francez nga të dyja shtetet, me të cilin, Maqedonia e Veriut mori obligim ta ndryshojë kushtetutën dhe t’i përfshijë bullgarët etnikë aty. Negociatat u hapën në fillim të vitit, me nisjen e procesit të skriningut, i cili duhet të mbarojë në nëntor po të këtij viti. Deri atëherë vendi duhet t’i miratojë ndryshimet kushtetuese që të vazhdojë me hapjen e kapitujve të parë, në të kundërtën, sërish kthehet vetoja”, ka thënë ai.

Xhelal Neziri, gazetar ne Maqedonine e Veriut

Tutje, Neziri tregon si erdhën dorëheqjet e ministrave shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Ai thekson se për t’i miratuar ndryshimet e kërkuara nevojiten 2/3 e votave në Parlament, 80 nga 120 sa numëron Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Koalicioni qeverisës ku bën pjesë LSDM, BDI, ASH dhe parti të tjera, numëron vetëm 64 deputetë. Pra, nuk i ndihmojnë as votat e deputetëve shqiptarë të opozitës. Qeverisë i nevojiten votat e VMRO – DPMNE-së, parti opozitare e cila i ka 44 deputetë, vota e të cilëve, është kyçe për këtë proces.

Sipas Nezirit, kryetari i VMRO – DPMNE-së, është pajtuar t’i votojë ndryshimet kushtetuese, por me dy kushte. Njëra është që të formohet një qeveri e zgjeruar pa partinë shqiptare BDI, kurse opsioni i dytë është që të ketë menjëherë zgjedhje parlamentare.

“Për të bindur këtë parti, kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, u takuan në fillim të qershorit. Mickovski u pajtua t’i votojë ndryshimet kushtetuese, por i kushtëzoi me dy opcione: i pari, të formohet qeveri e zgjeruar, por pa BDI-në, e cila do t’i kalojë ndryshimet kushtetuese dhe do të çojë vendin në zgjedhje, dhe opcioni i dytë – zgjedhje të menjëhershme parlamentare pas së cilave partia e parë formon qeverinë, kurse partia e dytë maqedonase e mbështet atë, duke i votuar edhe ndryshimet kushtetuese që do të hynin në fuqi në momentin kur vendi të përfundojë negociatat anëtarësuese dhe të bëhet anëtare fuqiplote e BE-së. E tani, me dorëheqjet e kushtëzuara të BDI-së, Ahhmeti i plotëson kushtet nga opsioni i parë dhe hedh topin në fushën e VMRO-së së Mickovskit. Dorëheqjet e funksionarëve të BDI-së hyjnë në fuqi në momentin kur deputetët e VMRO-DPMNE-së t’i votojnë ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Neziri.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Shkup, nëntor 2022.

Neziri tutje thekson se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë dilema se shteti i tyre duhet ta ketë orientimin drejt Bashkimit Evropian, derisa shton se VMRO – DPMNE tashmë e ka në dorë se a duhet të shkojë vendi përpara apo të mbetet i izoluar.

“Dorëheqjet e deponuara nga funksionarët e Ahmetit hapin shteg për vazhdimin e bisedimeve Kovaçevski-Mickovskim, për arritjen e kompromisit për hirë të perspektivës evropiane. Integrimi në BE mbetet i vetmi qëllim strategjik shtetëror i paarritur deri më tash, pas realizimit të të parit – anëtarësimit në NATO. Eurointegrimi ka mbështetjen më të madhe të qytetarëve të vendit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Shqiptarët etnikë nuk duan më vonesa në këtë rrugë drejt BE-së, ndërkohë që maqedonasit etnikë janë të shqetësuar nëse me përfshirjen e bullgarëve etnikë në Kushtetutë do të rrezikohet identiteti i tyre etno-kulturor, duke marrë parasysh mohimin nga ana e Bullgarisë. Është një situatë e komplikuar, e rrezikshme dhe njëkohësisht e rëndësishme për vendin, e cila kërkon flijmin e interesave të ngushta partiake. Tani radhën e ka VMRO-DPMNE. Kjo parti duhet të dëshmojë se më e rëndësishme për të është e ardhmja e ndritur evropiane e vendit sesa fitorja zgjedhore në një shtet të izoluar, pa të ardhme”, tha ai.

Edhe gazetari tjetër, Arben Ratkoceri, për Portalin Dukagjini ka theksuar se pa votën e opozitës, Qeveria e Maqedonisë nuk mund të bëjë ndryshime kushtetuese në mënyrë që të përfshihet pakica bullgare. Pa këto ndryshime, sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk mund të anëtarësohet në BE.

Arben Ratkoceri, gazetar nga Maqedonia e Veriut

“Maqedonia e Veriut në bazë të kërkesës së Sofjes zyrtare që njëherit është edhe qëndrim i Brukselit deri në muajin nëntor, është e obliguar të ndryshojë preambulën e kushtetutës ku të përfshihet pakica bullgare. Ky ishte kushti që Bullgaria lejoi hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE, e cila u përkrah edhe nga Brukseli, ndërsa Shkupi u zotua që do t’i bën. Aktualisht pa përkrahjen e VMRO-së opozitare për shkak të numrave është e pamundur që të sigurohen 2 të 3-tat e deputeteve për ndryshimet e kërkuara dhe zotuara. Deputetë shqiptarë të pozitës dhe opozitës kanë premtuar që do të votojnë PRO me ata të socialdemokratëve të kryeministrit Kovaçevski, por kjo është e pamjaftueshme”, tha ai.

BDI-ja në ekzekutivin që drejtohet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka pesë ministri, përkatësisht atë të Punëve të Jashtme, Ekonomisë, Financave, Arsimit dhe Sistemit Politik dhe një zëvendëskryeministër.

Sipas BDI-së, dorëheqjet janë firmosur nga të gjithë ministrat dhe i janë dorëzuar kryeministrit, Dimitar Kovaçevski. Por, sipas vendimit të partisë, dorëheqjet do të dorëzohen në Kuvend, pasi të jenë miratuar ndryshimet kushtetuese.

Debati parlamentar për ndryshimin e Kushtetutës ka nisur më 25 korrik, ndërsa seanca plenare është caktuar të mbahet më 18 gusht.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika