Përleshje të dhunshme në Suedi, pas djegies së Kuranit

Në qytetin e tretë më të madh të Suedisë, në Malmo po vazhdojnë protestat e dhunshme pasi një protestues kundër islamit e dogji një kopje të Kuranit

Zjarr në protesta në Suedi

Përleshje të dhunshme shpërthyen të dielën në një lagje emigrantësh në qytetin e tretë më të madh të Suedisë, pasi një protestues kundër islamit e dogji një kopje të Kuranit, tha policia suedeze të hënën.

Policia në Malmo ka shtuar se ndaj oficerëve të saj u hodhën gurë dhe disa vetura të tyre u dogjën, përshirë një garazh nëntokësore, gjatë përleshjeve që nisën të dielën dhe vazhduan deri pas mesnatës.

Ajo i cilësoi ato si “trazira të dhunshme”.

Përleshjet nisën pasi një aktivist kundër islamit, Salwan Momika, e dogji një kopje të Kuranit të dielën dhe një grup i zemëruar u përpoq ta ndalte, tha policia.

Të paktën tre persona u arrestuan, njoftoi policia.

Mëngjesin e së hënës, një grup i, kryesisht të rinjve, dogjën goma dhe mbeturina, ndërsa disa të tjerë i rrëzuan skuterët elektrikë dhe vunë barriera në lagjen Rosengard në Malmo, në të cilën ka pasur përleshje të tilla edhe në të kaluarën. Aty u shpalosën edhe banerë që dënonin djegien e Kuranit.

“E kuptoj se një tubim publik si ky ngjall emocione të forta, por ne nuk mund t’i tolerojmë sjelljet e dhunshme dhe çrregullimet si ato që i pamë të dielën pasdite”, tha oficerja e lartë e policisë, Petra Stenkula.

“Është për keqardhje të shohësh përsëri dhunën dhe vandalizmin në Rosengard”, tha ajo.

“Pavarësisht arsyeve prapa këtyre trazirave, djegia e veturave, ngacmimet, dhuna kundër oficerëve policorë… pavarësisht arsyes, mendoj se kjo është plotësisht e papranueshme për të gjithë suedezët”, tha kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, në një konferencë për media.

Në muajt e kaluar, Momika, një refugjat irakian, i ka përdhosur kopjet e Kuranit në një varg protestash kundër islamit, kryesisht në Stokholm.

Policia e Suedisë i ka lejuar veprimet e tij, duke u thirrur mbi lirinë e shprehjes.

Djegia e Kuranit ka nxitur protesta të ashpra në vendet myslimane, sulme ndaj misioneve diplomatike të Suedisë dhe kërcënime nga ekstremistët islamistë.

Liderët myslimanë në Suedi i kanë bërë thirrje Qeverisë të gjejë mënyra për ta ndaluar djegien e Kuranit.

Suedia i shfuqizoi ligjet e saj të fundit për blasfeminë në vitet ’70, dhe Qeveria ka thënë se nuk e ka ndër mend t’i rikthejë ato.

Megjithatë, Qeveria ka njoftuar se po e shikon mundësinë për t’ia mundësuar policisë t’i hedhë poshtë kërkesat për demonstrata të tilla për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare./REL

Shija e redaktorit

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika