Tashmë është arrestuar edhe personi që dyshohet se ka blerë arin e vjedhur nga grabitësit në argjendarinë në Suharekë.
Siç ka raportuar ekipi në terren i RTV Dukagjini, përveç arrestimeve që i ka konfirmuar Prokuroria dhe Policia, Dukagjini ka kuptuar se është arrestuar edhe personi i cili kishte blerë arin e vjedhur.
Ndërsa, gjatë ditës së enjte, sipas njoftimit të Policisë, katër persona të tjerë janë arrestuar, nën dyshimin se janë përfshirë në grabitjen e armatosur që ka ndodhur në një argjendari në qendër të Suharekës.
Po ashtu, Policia ka konfirmuar se gjatë operacionit policor është vrarë njëri nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë.
Njëri nga të arrestuarit është B.B., i njëjti dikur po vuante burgimin në kohëzgjatje prej 14 vjet e dhjetë muaj në Burgun e Dubravës, i cili ishte lejuar nga drejtori i burgut të shkojë për fundjavë në shtëpi.
Por, B.B., i cili disa herë ka ikur nga burgjet e Kosovës – nuk është kthyer më në Dubravë.
Personi që dyshohet se ka mbetur i vrarë është me inicialet D.G.
Tutje, nga Policia thuhet se gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor.
Ndryshe, më 22 nëntor kishte ndodhur plaçkitja e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës.
Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.