Tashmë është rivarrosur trupi i Liridona Ademajt në fshatin e saj të lindjes në Rracaj të Gjakovës.
Trupi i së ndjerës me kërkesë të familjes është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan.
Ministra dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, siç raporton ekipi në terren i RTV Dukagjinit, kanë vendosur lule mbi varrin e Liridona Ademajt.
Familjarët e Liridona Ademaj kanë hapur edhe të pame në fshatin Rracaj.
Qindra qytetarë tashmë kanë shkuar këtë të hënë që ta ngushëllojnë familjen Ademaj.
Në rivarrimin e të ndjerës, ndër të tjerë, po marrin pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xelal Sveçla, ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ajo e Industrisë, Rozeta Hajdari.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor në Prishtinë, në një rast të grabitjes që dyshohet të ketë qenë i orkestruar.
Lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, përfshirë edhe bashkëshorti i së ndjerës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji ndaj tre të dyshuarve Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kreshnik Kokallës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Naim Murseli për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Granit Plavës për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Kreshnik Kokallës për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.
Liridona Ademaj u vra në Bërrnicë të Prishtinës më 29 nëntor. Bashkëshorti i saj, Naim Murseli, dyshohet se ka organizuar vrasjen e saj.
Në njoftimin e saj, gjykata ka dhënë detaje se si Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e Liridonës së ndjerë.
Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën Liridonën.
Gjykata thekson se për këto veprime i pandehuri Naim Murseli paraprakisht e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes.
Ai i kishte premtuar të pandehurit Granit Plavës shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.