Imran Khan dhe gruaja e tij dënohen me nga shtatë vjet burgim për martesë të jashtëligjshme

FOTO:AFP

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij Bushra Khan, janë dënuar me nga shtatë vjet burgim secili të shtunën nga një gjykatë, për akuzat se kishin lidhur martesë në mënyrë të paligjshme.

Ky është dënimi i tretë me burg brenda pak ditëve për ish-liderin pakistanez.

Gjykata civile në Islamabad tha se Bushra nuk e kishte kryer kohën e pritjes së detyrueshme prej tre muajve nga shkurorëzimi prej burrit paraprak kur u martua me Khanin më 2018.

Khan, 71 vjeç, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022, është dënuar tashmë me 24 vjet burgim në përgjithësi dhe i është ndaluar ta mbajë poste publike për një dekadë, shkruan Rel.

Të dy Khanët u dënuan me 14 vjet burgim secili më 31 janar në një rast korrupsioni, një ditë pasi ai ishte dënuar me 10 vjet burgim për publikimin e sekreteve shtetërore në një rast tjetër, sipas partisë së tij, PTI.

Gjykata Antikorrupsion në Islamabad i shpalli ata fajtorë për shitjen e jashtëligjshme të dhuratave shtetërore në vlerë prej më shumë se 500.000 dollarë gjatë kohës sa ishte kryeministër nga viti 2018 derisa u rrëzua nga pushteti në prill 2022 përmes një vote të mosbesimit.

Gjykata ia ka ndaluar Khanit gjithashtu mbajtjen e posteve publike për 10 vjet, tha PTI. Bashkëshortja e tij Bushra u arrestua pak pasi gjykata e shpalli aktvendimin për ta.

Khan ndodhet në burg tashmë, pasi në gusht u dënua me tri vjet burgim nga një gjykatë tjetër për shitjen e dhuratave që i kishte marrë gjatë kohë si kryeministër.

Khanit i është ndaluar tashmë të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 8 shkurtit, për shkak të dënimeve të kaluara me burg, që kanë të bëjnë me zbulimin e një dokumenti konfidencial diplomatik gjatë një tubimi publik, pas rrëzimit të tij nga pushteti më 2022.

Atëbotë, Khan pretendoi se dokumenti, të cilit i ishte referuar me termin “Cipher”, ishte dëshmi se rrëzimi i tij ishte orkestruar nga ushtria e fuqishme e Pakistanit në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Si ushtria, ashtu edhe Uashingtoni, kishin mohuar këto akuza.

Më 21 tetor 2023, ish-kryeministri Nawaz Sharif, që ka mbajtur këtë post për tri mandate dhe që është një rival i kamotshëm i Khanit, u kthye në Pakistan pasi për katër vjet kishte qëndruar në mërgim dhe nisi fushatën zgjedhore me partinë e tij Liga Myslimane e Pakistanit, duke mbajtur një tubim të madh në Lahore.

Partia e Khanit dhe e Sharifit konsiderohen si partitë kryesore në zgjedhjet e ardhshme.

Pakistani, shtet me 241 milionë banorë, është mbërthyer nga një krizë e rëndë ekonomike dhe ka përjetuar rënie të shpejtë të standardit të jetesës.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika