Arrestohet një kosovar në Merdarë per “krime lufte”, thotë MPB serbe

Autoritetet serbe njoftuan të shtunën se e kanë arrestuar një kosovar në pikën kufitare që lidh Serbinë me Kosovën, nën dyshimin për “krime lufte”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë (MPB), Ivica Daçiq, tha se Tefik Mustafa u arrestua pasditen e 1 qershorit në Merdarë për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Në një komunikatë për media, MPB-ja serbe theksoi se Mustafa, “si pjesëtar i UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”, përcjell N1.

“Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte”, tha Daçiq, sipas komunikatës.

Haxholli: Mbase “temë propagandistike” e Serbisë

Më vonë, në një postim në Facebook lidhur me këtë rast, sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se Serbisë “me gjasë po i duhet ndonjë temë propagandistike për zgjedhjet e nesërme në Serbi”, duke iu referuar zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 2 qershor në Serbi.

Duke e përmendur rastin “Panda”, ai tha se policët për të cilët Serbia thotë që janë zhdukur, “është shumë më e mundshme të jenë zhdukur, apo të jenë gjallë në Serbi, sesa të ketë ndodhur diçka e tillë në territorin e Republikës se Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar me pyetje Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe Policisë së Kosovës në lidhje me arrestimin e shtetasit kosovar, por nuk mori përgjigje.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.

Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.

Familjarët e tij thonë se akuzat kundër Durakut nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli.

Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës./REL

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika