Goffus: Shtimi i trupave të KFOR-it s’është zgjidhje, koordinimi është kyç për stabilitetin në Kosovë

Ndihmës-sekretari i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, paralajmëron se veprimet e pakoordinuara në veri të Kosovës rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë në rajon, duke theksuar nevojën për një zgjidhje politike

Ndihmës-sekretari i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus.

Në një deklaratë të fundit pas vizitës së tij në Kosovë, ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, ka theksuar rëndësinë e koordinimit dhe dialogut politik për të siguruar stabilitetin afatgjatë në vend.

Sipas Goffus, veprimet e pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, dhe afatet kohore joreale, së bashku me retorikën përçarëse, nxisin tensione që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

Ai ka deklaruar se shtimi i trupave të KFOR-it nuk është zgjidhja për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë, por se, sipas tij, zgjidhja është politike.

“Edhe pse fatkeqësisht është e nevojshme për momentin, më shumë trupa nuk janë zgjidhja për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë. Zgjidhja është politike”, ka thënë Goffus, duke theksuar rëndësinë e angazhimit konstruktiv të Prishtinës dhe Beogradit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Goffus e ka quajtur “jetike” koordinimin në kohë dhe efektiv me NATO-n e komunitetin ndërkombëtar – ndërsa ka përmendur këtu çështjen e Urës së Ibrit.

“Kjo vlen për një mori çështjesh, duke përfshirë urën e Ibrit, ku ushtarët e KFOR-it kanë një prani fikse të gjatë”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për përgjegjësi për sulmet në Zveçan dhe Banjskë, duke shtuar se retorika përçarëse dhe veprimet e pakoordinuara vetëm sa rrisin tensionet në rajon.

“Siç e kemi parë, veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, veçanërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila minon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë dhe rrit rreziqet me të cilat përballen trupat e KFOR-it. Siç mund ta prisni, kjo rrit shqetësimin e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për stabilitetin e rajonit, sigurinë e Kosovës dhe sigurinë e trupave të tyre. Presim që përgjegjësit për ngjarjet e vitit të kaluar në Zveçan, si dhe në Banjskë, të mbajnë përgjegjësi”, ka deklaruar ai.

NATO, sipas Goffus, mbetet e përkushtuar për të punuar me të gjitha palët për të siguruar paqe dhe stabilitet në një kohë kritike për sigurinë evropiane.

Shija e redaktorit

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Të fundit nga rubrika