Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur të dielën mbrëma, në një poligon të gjuajtjes në fshatin Pasjak të Novobërdës, ku është plagosur një zyrtar policor.
Sipas njoftimit të Policisë së rajonit të Gjilanit, zyrtari policor E. Sh. (2003) është transportuar me urgjencë për në QKUK në Prishtinë për trajtim mjekësor.
Nga hetimet fillestare, sipas policisë dyshohet se plagosja ka ndodhur aksidentalisht, kur një person i mitur që ndodhej në poligon së bashku me viktimën ka shkrepur armën pa dashje.
I dyshuari i mitur është arrestuar dhe është intervistuar nga policia në bazë të procedurave ligjore, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
“Dyshohet se deri te ky rast i rëndë të ketë ardhë kur një person që po ashtu ishte në poligonin e gjuajtjes bashkë me viktimën i shkrep arma aksidentalisht. I dyshimti i mitur është arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit dhe është intervistuar në bazë të procedurave ligjore”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Ismet Hashani për Dukagjinin.
Po ashtu, pas hetimeve me vendim të prokurorit të shtetit është arrestuar një instruktor i cili punon në këtë poligon.
Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar nga njësia e Hetimeve Rajonale – Gjilan.