Abdixhiku: Keqardhje për instrumentalizimin e partive minoritare në propozimin e LDK-së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një konferencë për media më 24 maj 2023.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar ashpër pas akuzave që disa parti minoritare hodhën ndaj propozimit të LDK-së për formimin e një qeverie nacionale tranzitore.

Në një postim në Facebook, ai shprehu keqardhjen për mënyrën se si po instrumentalizohen këto parti minoritare dhe theksoi se kjo mund të dëmtojë përfaqësimin e pakicave dhe marrëdhëniet e tyre me partitë shqiptare.

“Keqardhje për keqpërdorimin që po u bëhet disa partive minoritare mbi propozimin tonë të fundit. Instrumentalizimi i tyre në përpjekjen e zgjidhjes politike e parlamentare, lë shenjë të rëndë në përfaqësimin e pakicave në Kosovë dhe marrëdhëniet e tyre me partitë shqiptare”, ka shkruari Abdixhiku, duke e cilësuar këtë veprim si një kopjim të dëmshëm të urrejtjes.

Abdixhiku ka thënë se disa përfaqësues minoritarë, anëtarë të kabinetit qeveritarë në detyrë, para mediave kanë akuzuar LDK-në se nuk i kishte përfshirë në propozimin për formimin e qeverisë tranzitore.

“Disa shkuan aq larg sa që për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, e quajtën Lidhjen Demokratike – parti shoviniste,” theksoi Abdixhiku.

Ai shtoi se ky qëndrim është një “instrumentalizim i ulët i përfaqësuesve të komuniteteve që sot duhet të kenë përfaqësim dinjitoz me të gjitha partitë parlamentare shqiptare.”

Kreu i LDK-së ka mbrojtur vazhdimësinë e politikës së LDK-së për bashkëpunim ndër-shqiptar, duke theksuar se kjo është pjesë e misionit të partisë që nga vitet e ’80-ta.

“Të jesh shqiptar nuk është krim. Të kërkosh bashkim ndër-shqiptar nuk është krim. Të kërkosh unitet politik brenda shqiptarëve nuk është krim,” tha ai, duke shtuar se “Bashkëpunimi politik ndërshqiptar është mision politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga viti 1989 e deri më sot.”

Më tej, Abdixhiku theksoi se përfshirja e minoriteteve ka qenë gjithmonë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, e hartuar nga LDK, por tani, për herë të parë, disa përfaqësues të komuniteteve joshumicë po mbajnë një qasje të hapur ndaj partive shqiptare, duke i kundërshtuar ato në mënyrë të polarizuar.

“Një qasje e tillë është e dëmshme dhe për komunitetet jo shumicë, dhe për demokracinë parlamentare,” theksoi ai.

Në fund, Abdixhiku ka shkruar edhe një pjesë të plotë të propozimit të LDK-së për Qeverinë Nacionale të Tranzicionit, ku theksoi se ajo do të formohej nga të gjitha partitë shqiptare dhe përfaqësuesit e komunitetit joshumicë, në përputhje me Kushtetutën, dhe do të kishte një program të qartë politik dhe ekzekutiv, me një kryeministër dhe kabinet unifikues.

“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, EDHE NGA PËRFAQËSUES TË PARTIVE TË KOMUNITETEVE JOSHUMICË, do të ketë afat të caktuar,” përfundoi Abdixhiku.

Ky qëndrim i LDK-së reflekton angazhimin e partisë për një qeveri që siguron përfshirje të plotë dhe të barabartë të komunitetit joshumicë, si dhe për një bashkëpunim të thellë politik ndër-shqiptar.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Të fundit nga rubrika