Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dalë në mbrojtje të propozimit të partisë së tij për formimin e një qeverie tranzicionale, duke e cilësuar si zgjidhjen e vetme gjithëpërfshirëse të mundshme në rrethanat aktuale politike në vend.
Ai kritikoi mënyrën se si po zhvillohen seancat e Kuvendit të Kosovës, duke e krahasuar situatën aktuale me një “kasetofon të prishur”
“LDK-ja e ka thënë një iniciativë, jo për protagonizëm, nëse duan ta bëjnë një organizim të tillë le ta bëjnë, përfshirë edhe presidenten. Thelbësore është për çka po takohemi, për të dhënë zgjidhje, apo për ta vazhduar këtë cirk. Partitë qëndrojnë në pozicione që na sjellin çdo 48 orë, por ndonëse dua t’i kuptoj pozicionet e tyre janë dëshirore. Askush nuk e ka shumicën në Kosovë, e meqenëse askush nuk e ka, le të ulemi. Ne kemi bërë një propozim, nëse partitë nuk e dojnë, le të vazhdojnë të mblidhen e të tallen me qytetarët e Kosovës. Është mirë që askush të mos flas për votat e LDK-së. Askush në Kosovë nuk e ka shumicën.
Kemi dalur me propozim të hapur, ftesë të hapur, të ulemi e të kapërcejmë këtë gjendje. Nëse janë të gatshëm këtu jemi, nëse nuk janë të gatshëm vijmë këtu çdo 48 orë. Natyrisht se po, kemi bërë thirrje për gjithëpërfshirje. Bënë të marrë iniciativë edhe dikush tjetër. Çka po bëjmë pas gjendjes së tanishme. Ideja jonë mund të mos jetë më e mira, por është e vetmja në tavolinë, gjithëpërfshirëse”, ka thënë Abdixhiku.