Avioni i shefes së BE-së von der Leyen goditet nga bllokimi i dyshuar rus i GPS

Sistemi i navigimit të avionit që po transportonte presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ndërpre për shkak të një ndërhyrjeje të dyshuar nga Rusia, njoftoi Komisioni Evropian.

Një zëdhënës tha se “bllokimi i sinjalit GPS” ndodhi të dielën, në kohën kur presidentja e Komisionit ishte duke u afruar për të zbritur në Bullgari, por ajo arriti të ulej në mënyrë të sigurt.

“Sipas informacioneve që kemi marrë nga autoritetet bullgare, dyshohet se kjo ishte pasojë e një ndërhyrjeje të hapur nga Rusia,” u tha më tej.

Sipas Financial Times, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, von der Leyen është dashur të zbarkojë në Aeroportin e Plovdivit duke përdorur harta në letër.

Komisioni Evropian theksoi se “kërcënimet dhe aktet e frikësimit janë pjesë e rregullt e veprimeve armiqësore të Rusisë” dhe se ky incident vetëm sa do të forcojë angazhimin e BE-së “për të rritur kapacitetet e mbrojtjes dhe për të mbështetur Ukrainën”.

Qeveria bullgare konfirmoi se gjatë fluturimit “sinjali satelitor që transmetonte informacionin në sistemin GPS të avionit u neutralizua”.

“Për të garantuar sigurinë e fluturimit, shërbimet e kontrollit ajror ofruan menjëherë një metodë alternative uljeje duke përdorur mjetet tokësore të navigimit,” thuhet në deklaratë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha Financial Times se ky informacion ishte “i pasaktë”.

Autoriteti i Shërbimeve të Trafikut Ajror të Bullgarisë i tha gazetës se ka pasur një “rritje të dukshme” të bllokimeve të navigimit që nga janari i vitit 2022, të cilat shkaktojnë kaos për fluturimet komerciale dhe transportin detar.

Von der Leyen ndodhej në Bullgari si pjesë e një turi në shtetet lindore të BE-së për të diskutuar mbi gatishmërinë mbrojtëse./BBC

Shija e redaktorit

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Të fundit nga rubrika