Kush janë eurodeputetët që mbështesin studentët dhe qytetarët e rebeluar të Serbisë?

Ndërsa në Parlamentin Evropian mund të dëgjohen edhe zëra që mbështesin regjimin e Aleksandar Vuçiqit, shumë më tepër janë ata që pa rezerva japin mbështetje për studentët dhe qytetarët që prej dhjetë muajsh protestojnë pa u lodhur pas shembjes së strehës në Novi Sad.

Njëri prej tyre është Gordan Bosanac, eurodeputet kroat nga radhët e të Gjelbërve/EVZ, i cili në punën e tij merret me të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Ai ka mbështetur protestat në Serbi duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të tubohen në mënyrë paqësore dhe se Parlamenti Evropian duhet të ndjekë me kujdes reagimet e pushtetit ndaj demonstratave.

Mbështetje studentëve dhe qytetarëve ka dhënë edhe Vladimir Prebilič, politikan slloven në PE, i cili ka paralajmëruar se pushteti në Serbi ka “marrë plotësisht nën kontroll institucionet – policinë, gjyqësorin, mediat” që duhej të mbronin demokracinë, por në vend të kësaj pengojnë hetimet e pavarura.

Nga Sllovenia ka ardhur mbështetje edhe nga Irena Joveva, politikane dhe deputete në Parlamentin Evropian nga lista e Marjan Šarec (LMS), që bën pjesë në grupin “Rinovojmë Evropën” (Renew Europe).

Ajo disa herë ka theksuar se studentët dhe qytetarët e Serbisë – të rinj e të moshuar – janë forca lëvizëse e ndryshimit dhe se nuk janë vetëm në protestat e tyre. Sipas saj, pushteti aktual po përballet me një sfidë serioze pasi protestat nuk i nënshtrohen më përpjekjeve të zakonshme për diskreditim dhe përçarje të shoqërisë.

Protestat në Serbi nuk i ka lënë pa reagim as Sandro Gozi, politikan italian dhe deputet në Parlamentin Evropian, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike Evropiane.

Ai ka deklaruar se qytetarët dhe studentët në Serbi, të cilët protestojnë në mënyrë paqësore duke ushtruar të drejtën e tyre demokratike, janë viktima të represionit, duke theksuar se policia dhe pushteti po përdorin “mjete të papranueshme” për të shtypur demonstratat.

Sandro Gozi ka kërkuar nga Komisioni Evropian të reagojë për zhvillimet në Serbi, duke theksuar se BE-ja nuk mund të “mbyllë sytë” përballë rasteve kur studentët dhe të miturit arrestohen, frikësohen dhe rrihen.

Gjithashtu i ashpër në fjalën e tij ka qenë eurodeputeti austriak Helmut Brandšteter, i cili tha se disa njerëz në Komisionin Evropian frikësohen se, nëse janë shumë kritikë ndaj Aleksandar Vuçiqit, presidenti i Serbisë do t’i drejtohet Rusisë dhe Kinës.

Sipas tij, ky qëndrim nuk ka kuptim, sepse pushteti në Beograd duhet të vendosë nëse do të jetë me “diktatorët apo pjesë e botës së lirë”. Brandšteter tha për N1 në Strasburg se nuk është i befasuar që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj para Parlamentit Evropian nuk e përmendi asnjëherë Serbinë.

Korrespodentja e Partisë së Gjelbërve Evropianë, Vula Ceci, dhe eurodeputeti Rasmus Nordkvist vizituan javën e kaluar Serbinë, duke marrë pjesë në protestën në Novi Sad për t’u ofruar mbështetje qytetarëve dhe studentëve edhe fizikisht.

Për këtë arsye, presidenti i Serbisë i quajti ata “llum”, pas çka ata u larguan nga vendi.

Mbështetje ka ardhur edhe nga Andreas Schieder, politikan austriak nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, i njohur për angazhimin e tij në politikën e jashtme dhe të drejtat e njeriut.

Ai ka mbështetur hapur studentët në Serbi që organizuan protestat, duke dënuar reagimin e dhunshëm të pushtetit ndaj demonstruesve paqësorë. Schieder ka deklaruar se regjimi në Serbi e ka ngritur dhunën në një nivel të ri, duke i quajtur demonstruesit kriminelë dhe duke u kërcënuar atyre, ndërkohë që Bashkimi Evropian duhet të jetë më i ashpër dhe më konsekuent në procesin e anëtarësimit.

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika