Bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalny, ka deklaruar se analizat laboratorike të mostrave biologjike, të dërguara fshehurazi jashtë Rusisë, tregojnë se ai u vra përmes helmimit në shkurt të vitit 2024.
Navalny, kritik i përhershëm i presidentit rus Vladimir Putin, vdiq në një burg në Arktik më 16 shkurt 2024, ku po vuante një dënim 19-vjeçar për akuza të cilësuara gjerësisht si politike. Autoritetet ruse kanë thënë se ai u sëmur papritur teksa po ecte në oborrin e burgut, por aleatët e tij kanë këmbëngulur se ai u vra.
Në një video-mesazh, Yulia Navalnaya tha se “laboratorët në dy shtete arritën në përfundim se Aleksei u vra. Specifikisht: u helmua”. Ajo nuk dha detaje për llojin e mostrave apo për substancën e përdorur, por u bëri thirrje laboratorëve që të publikojnë rezultatet në mënyrë të pavarur.
Navalnaya publikoi gjithashtu fotografi të qelisë së burgut ku shfaqeshin gjurmë të vjellash, duke pretenduar se dëshmitë tregojnë se Navalny kishte pësuar konvulsione para se të ndërronte jetë. Ajo kujtoi se në vitin 2020 bashkëshorti i saj ishte helmuar me agjentin nervor Noviçok gjatë një fushate në Siberi, por atëherë kishte shpëtuar falë trajtimit në Gjermani.
Pas kthimit në Rusi në vitin 2021, Navalny u arrestua dhe u dënua me akuza për “ekstremizëm”. Edhe nga burgu ai vazhdoi të kundërshtonte Putinin dhe të fliste kundër pushtimit të Ukrainës.
Pas vdekjes së tij, autoritetet ruse refuzuan për ditë të tëra t’ia dorëzonin trupin familjes, duke nxitur dyshime te mbështetësit e opozitarit. Navalnaya ka përsëritur akuzën se Putini personalisht ka urdhëruar vrasjen e tij: “Vladimir Putin është fajtor për vrasjen e bashkëshortit tim, Aleksei Navalny”.
Kremlini ka mohuar çdo përgjegjësi. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se nuk ishte në dijeni për këto akuza, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar shtypjen ndaj aleatëve të Navalnyt. Navalnaya vetë është futur në listën e “terroristëve dhe ekstremistëve”, ndërsa avokatë dhe gazetarë të afërt me Navalnyn janë përndjekur.
Familja dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij tashmë jetojnë jashtë Rusisë, ndërkohë që brenda vendit disidenca është shtypur rëndë pas nisjes së luftës kundër Ukrainës.