Në pronën e Nemanja Radivojeviq, i njohur si “Gandi”, Policia e Kosovës ka gjetur sot municion, armë, pajisje ushtarake dhe veshje kamuflazhi.
Radivojeviq dyshohet si autori i shpërthimit që vrau Rreshterin policor Afrim Bunjaku më 24 shtator 2023 në Banjskë.
Kështu ka thënë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka shtuar pajisjet e gjetura janë dëshmi që ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të kërcënuar rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës.
“Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë”, ka shkruar ai.
“Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë. Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, ka shkruar tutje Sveçla në Facebook.
Policia gjen armë në veri, dyshohet se ishin të një personi që kërkohet për Banjskën