10 objekte shkollore gjatë këtij mandati. Kaq i konsideron të përfunduara kryetari aktual i Podujevës e që garon edhe për një tjetër mandat, Shpejtim Bulliqi.
Të 10-tat i ka renditur zëdhënësi i kësaj komune, Fatri Zhitia në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Por, disa u përfunduan e të tjera në fakt ishin në përfundim kur Bulliqi mori mandatin dhe vetëm i përuroi.
Shkolla në Dumosh dhe ajo e Obrançës janë nisur e përfunduar nën qeverisjen e Bulliqit.
Për të treten të renditur në listë, shkolla “Ali Ajeti” në Balloc, kontrata për të ishte nënshkruar në gusht të vitit 2020, nga Rasim Fejza, që ishte drejtor i Arsimit në kohën e qeverisjes së LDK-së.
Shkolla e pestë e renditur është ajo “Ilir Konushevci”, në Podujevë e cila ende nuk është e hapur për nxënësit ndonëse puna më e madhe duket se ka përfunduar.
Gjersa për këtë kanë deklaruar se do të funksionalizohet në pak ditë, kjo nuk mund të thuhet për shkollën ekonomike “Isa Boletini” për të cilën Komuna pretendon se do funksionalizohet në pak muaj.
Ajo në Shajkofc mbetet në përfundim e sipër e Shkolla e Kompetencës, të ngritur ka vetëm themelin.
Për opozitën në komunë, kjo konsiderohet një propagandë elektorale.
”E them me përgjegjësi të plotë që kjo qeverisje, në mandatin pesë vjeçar të sajin, ka përfunduar vetëm dy shkolla, në Dumosh e Obrançë. Shkollat në Ballofc ua ka pre vetëm shiritij. Kjo qeverisje po e demanton vetën. Nuk mundesh me i mashtru qytetarët me projekte që nuk i le plrfunduar e që i kanë nisur të tjerët. Në mungesë të projelteve konkrete, po shfrytëzon propagandën”, ka thënë Besim Latifi – Kandidat i LDK-së për Asamble Komunale.
Për Shkollën “Nuhi Gashi” në Bradash, Komuna ka deklaruar se do hapet në disa muaj por aktualisht është krejt në fazën fillestare të ndërtimit.
Për shkollën “Jetullah Gashi” në Dobordol nuk mund të konsiderohet e përfunduar e as e filluar në terren ngase e njëjta, ka ngelur në proces, thuhet në OSHP.