Hamasi thotë se ka rënë dakord të lirojë të gjithë pengjet e mbetura izraelite, por kërkon negociata të mëtejshme mbi një numër çështjesh të përcaktuara në planin e paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gazën.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli po përgatitet të zbatojë menjëherë” fazën e parë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump thotë se beson që Hamasi është gati për një paqe të qëndrueshme, ndërsa i kërkon Izraelit të ndalojë bombardimin e Gazës.
Qindra banorë të Gazës kanë kontaktuar korrespondentin e BBC-së në Gaza duke kërkuar qartësi mbi deklaratat e fundit politike – dhe nëse ato do t’i japin fund katastrofës humanitare.
Hamasi nuk iu drejtua aspekteve kryesore të planit të Trump – duke përfshirë kërkesën për çarmatimin e tij dhe tërheqjen nga roli i tij në qeverisjen e Gazës.
Hamasi ishte nën presion për të pranuar të paktën disa pika të marrëveshjes së Presidentit Trump për Gazën. Ata kanë rënë dakord të lirojnë të gjithë pengjet e mbetura izraelite, si të gjallë ashtu edhe të vdekur, dhe se Gaza do të qeveriset nga teknokratë.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se vendi po përgatitej për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Dhe raportet sugjerojnë se ushtria është urdhëruar të zvogëlojë operacionet ofensive.
Në Gaza, shumë po shprehin shpresën se këto zhvillime dramatike më në fund mund të hapin rrugën për përfundimin e luftës.