Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Suharekës, Ardian Kastrati, ka bërë të ditur se edhe nëse zgjidhet kryetar sërish do të jetë pranë qytetarëve si profesionist shëndetësor.
Kastrati, në emisionin “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se do të jetë pranë qytetarëve edhe si mjek edhe si kryetar.
Ai madje premtoi se sërish një ditë të javës do të jetë si mjek pranë qytetarëve të Suharekës.
“Çështja e profesionit nuk përcaktohet me politikë, i kam hyrë politikës në moshë më të hershme se më ka thirrur vendi, angazhimi mbi 20 vjet ku jam pjesë e kryesisë në Suharekë më ka bërë që të jem në politikë dhe përherë me qytetarët. Kam dashtë që të jem me qytetarët – premtoj që do t’i shërbej falas një ditë të javës si mjek qytetarëve të mijë vetëm për të dhënë shembullin se jam pranë tyre si mjek dhe si kryetar”, tha Kastrati.
Kastrati, mes tjerash, premtoi se gjatë mandatit të tij do të ofrojë kushte shumë më të mira mjekësore për qytetarët e Suharekës teksa shtoi se deri tani është bërë shumë pak në këtë drejtim.