Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do të takohet me homolgun rus, Vladimir Putin,në Hungari për bisedime për Ukrainën pas një telefonate ‘shumë produktive’
Trump bëri të ditur se telefonata ishte “e mirë dhe produktive”, duke shtuar se “këshilltarët e nivelit të lartë” nga të dy vendet do të takohen javën e ardhshme, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
“Presidenti Putin dhe unë do të takohemi më pas në një vend të rënë dakord, Budapest, Hungari, për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë Luftë ‘të palavdishme’ midis Rusisë dhe Ukrainës”, tha Trump.
Ndërkohë, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se telefonata midis Putinit dhe Trump “zgjati më shumë se dy orë”.
Duke folur me gazetarët në Uashington, Leavitt përsëriti shumë nga gjërat që tha Trump për telefonatën në postimin e tij në Truth Social, duke përfshirë se ishte “e mirë dhe produktive” dhe se Trump mendon se është bërë “përparim i madh”.
Diskutimet do të vazhdojnë kur Zelensky të vizitojë Shtëpinë e Bardhë nesër, thotë ajo, duke shtuar se Trump “meriton merita të mëdha” për ndjekjen e negociatave të paqes kaq shpejt pas ndërmjetësimit të armëpushimit në Gaza.