Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve në Gazë

Izraeli ka kthyer trupat e 15 palestinezëve në Gazë më 18 tetor, duke bërë që numri i përgjithshëm i trupave të vdekur të arrijë në 135, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, Izraeli duhet të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve për çdo trup të pajetë të izraelitëve që i dorëzon Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Të premten, Hamasi dorëzoi trupin e një tjetër pengu izraelit.

Që nga nisja e armëpushimit, Hamasi ka dorëzuar trupat e nëntë pengjeve izraelite dhe një të një studenti nepalez.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se disa nga trupat që u kthyen të shtunën kishin shenja të “abuzimit, rrahjeve dhe prangosjes”.

Kjo ministri kishte bërë pretendime të ngjashme edhe kur kishte pranuar më herët trupa të palestinezëve.

Ushtria izraelite i ka cilësuar këto pretendime si “propagandë të rremë të Hamasit”.

“Për më tepër, të gjithë trupat e dorëzuar janë të luftëtarëve brenda Rripit të Gazës”, tha më herët ushtria izraelite.

Më 13 tetor, Hamasi liroi të 20 pengjet e gjalla izraelite dhe nisi të dorëzojë edhe trupat e pengjeve të vrara. Në këmbim, po atë ditë Izraeli liroi afër 2.000 palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite.

Lirimi i pengjeve dhe armëpushimi në Gazë është pjesë e fazës së parë të planit 20 pikësh të prezantuar nga presidenti Trump për paqe në enklavën palestineze.

Më 14 tetor, Trump tha se faza e dytë e planit të tij ka nisur. Plani për paqe parasheh çarmatosjen e Hamasit – kërkesë që Izraeli e kishte parashtruar paraprakisht, por ishte refuzuar nga grupi radikal palestinez.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë.

Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe 2 milionë banorët e territorit po përballen me krizë të thellë humanitare./REL

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika