Moderatori i emisionit Debat Plus, Ermal Panduri, ka reaguar publikisht ndaj pretendimeve të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Jugut, Faton Peci, i cili në një shkrim të publikuar në rrjete sociale foli për ‘ndikime’ gjatë ditës së zgjedhjeve të 12 tetorit.
Në reagimin e tij të drejtpërdrejtë drejtuar Pecit, Panduri ka thënë se nuk ekziston asnjë komplot apo ndërhyrje e qëllimshme nga ana e televizionit apo stafit të tij, duke kërkuar që Peci të ndalojë përpjekjet për të krijuar “armiq” për qëllime elektorale.
Ai shtoi se RTV Dukagjini dhe ai personalisht nuk kanë pasur asnjë qëllim politik dhe asnjë preferencë për ndonjërin prej kandidatëve në garë, duke theksuar se media që ai drejton është e hapur për të gjithë.
Në fund, Panduri theksoi se çdo pretendim për shkelje ligjore apo “krim zgjedhor” duhet të trajtohet nga Prokuroria, ndërsa debatet për çështje politike mund të zhvillohen në “Debat Plus”.
“I dashuri Faton,
Jam i vetëdijshëm që je në kërkim të një “armiku” për pjesën e dytë të fushatës, por të lutem, mos e shpik aty ku nuk ekziston.
Po e ripërsëris, qetë dhe pa asnjë dramatizim: exit poll-i për Mitrovicën e Jugut ka qenë i pasaktë. Dhe UBO Consulting, si organizatë përgjegjëse dhe e cilësuar jo rrallëherë si më e besueshmja nga partnerët e juaj të sotëm, e ka pranuar gabimin, publikisht, vetëm një ditë pas zgjedhjeve. Kaq. Nuk është as skemë kriminale, as inxhiniering, as komplot.
RTV Dukagjini, por edhe unë personalisht, nuk kemi asnjë parapëlqim për ndonjërin prej jush që jeni në garë elektorale, siç duket ndryshe nga disa njerëz të koalicionit tuaj që ditën përkatëse na shprehnin me telefon dëshirën e tyre që të fitoj kundërkandidati juaj.
Ndaj të lutem Faton, mos tentoni të krijoni artificialisht një armik vetëm që të polarizoni për mobilizim elektoral. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë punën tonë në kërkim të së vërtetës, me të njëjtën qetësi si gjithmonë. Pa polemikë të shpikur, pa dramë të porositur.
I keni studiot të hapura për këtë. Ju mirëpresim.
Nëse keni prova është Prokuroria. Nëse keni plan për Mitrovicën është edhe DebatPlus-i.
Me mirësjellje,
Ermal Panduri”, ka shkruar Panduri në Facebook.