Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, ka falënderuar qytetarët e Prishtinës pas rezultatit të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të kryeqytetit, duke e konsideruar fitoren si një shprehje të pjekurisë dhe unitetit të qytetit.
“Qyteti i zemrës sime, sonte është festa e qytetit tonë — festa e shpresës, e unitetit dhe e demokracisë. Festojmë të gjithë qytetarët pa dallim bindjesh, sepse ka fituar vullneti për zhvillim dhe qytetari. Kjo është fitorja dhe pjekuria e Prishtinës, sepse Prishtina ndërtohet bashkë dhe është e të gjithëve. Fitoi dinjiteti, uniteti dhe civilizimi politik i këtij qyteti — kjo është fitorja më e madhe që mund të ketë Prishtina.
Vota juaj më nderon dhe më ngarkon me përgjegjësi të dyfishtë. Ju falënderoj nga zemra. Dua ta përshëndes kundërshtarin tim politik dhe e ftoj të reflektojë në mënyrë qytetare. Qytetarët nuk meritojnë pengesa, sot qytetari ka folur dhe fjala e tij është vendim. Prishtina ecë përtej! Do të punoj me gjithë zemër me secilin qytetar, do të punoj për një Prishtinë të zhvilluar dhe që nuk ndalet”, ka thënë Rama.