Ka nisur sot seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ku dëshmon gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, ish-komandant suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën.
Ai është dëshmitari i fundit i Mbrojtjes në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së.
Dëshmia e Clark do të zgjasë deri të mërkurën më 19 nëntor 2025.
Pas përfundimit të saj, gjykata do të mbajë një konferencë për ecurinë e çështjes.
Para Clark, në seancë kishin dëshmuar diplomati amerikan Christopher Hill dhe ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin.
Mbrojtja ka nisur me paraqitjen e provave më 15 shtator, ku po ashtu dëshmuan edhe ish-këshilltari ligjor në Rambuje, Paul Williams, si dhe ish-këshilltari politik i Wesley Clark, John Stewart Duncan.