Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, e cila në një intervistë për Politico tha se në pesë vitet e fundit në vend janë “shkatërruar 900 banda kriminale”.
Hoti, përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur këtë deklaratë “tragjikomike” dhe “statistikë të rreme”, duke paralajmëruar se një mesazh i tillë dëmton rëndë imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Sipas Hotit, deklarata të tilla ulin kredibilitetin e Kosovës dhe e vendosin vendin në mesin e shteteve problematike në arenën ndërkombëtare.
“Kjo nuk tregon sukses, por i jep botës mesazhin e rremë se Kosova është e zhytur në krim të organizuar. Deklarata të tilla tragjikomike e ulin kredibilitetin e Kosovës dhe e dëmtojnë imazhin, duke e vendosur në listë me vendet problematike të botës. Kosova ka nevojë për lidership dinjitoz, serioz dhe të përgjegjshëm”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka theksuar se “kështu ndodh kur tentohet të përdoret çdo medium, në vend e jashtë, për t’i shërbyer partnerit të saj në krye të qeverisë”.